#Rudina, një program nga autorja dhe moderatorja #RudinaMagjistari, një prej emisioneve më të ndjekur dhe të dashur për publikun duke ofruar tema të larmishme për të gjithë familjen.

Të ftuar: Teuta Doçi, Iva Tiço, Arba Gramo, Irena Toçi,Erik Lloshi

“Jeta fillon në të 40-at…” Ja si ta shijoni dekadën më të bukur

“Do e kapja me shpulla”, Iva Tiço tregon se çfarë do bënte nëse do takonte veten 20 vjeçe

Tema e trajtuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan këtë të premte, ishte nëse është e vërtetë që jeta fillon pas moshës 40-vjeçare. Për të diskutuar si dhe për të treguar eksperiencat e tyre në studio ishin të ftuara Teuta Doçi, Arba Gramo dhe Iva Tiço. Ato vijnë nga fusha të ndryshme të jetës, por të treja binin dakord se në moshën 40-vjeçare jeta bëhet më e bukur.

Gazetarja Iva Tiço ka treguar se në të 40-at e saj ka vendosur të tregohet pak “egoiste” pasi 20 vitet e kaluara ka punuar fort për të arritur disa gjëra në jetë, të cilat tani i sigurojnë më shumë komoditet. Gjithashtu ajo me humor ka treguar, se nëse do e takonte veten 20-vjeçe, do “e kapte me shpulla”, pasi për shumë gjera është shqetësuar më shumë seç duhet.

Iva Tiço: Në të 20-at unë personalisht kam pasur krizat më të mëdha, sepse ishin krizat çfarë do bëhet me mua, çfarë do bëhem kur të rritem. Ndërkohë që je rritur dhe duhet të zgjedhësh një drejtim, të gjesh një punë, si të mbash punën dhe gjithë të tjerat. Jo më larg se dy tre ditë isha me një mikeshën time dhe na doli kjo bisedë, çfarë do i bëje vetes po ta takoje 20-vjeçe, të dyja thamë me një gojë, do e kapja me shpulla. Unë nuk e mbaj mend shijimin e  atyre viteve. Sigurisht kam fotografi, kam gjëra që më tregojnë se kam jetuar, por kanë qenë vite të mbushura plot me ankthe, plot me sakrifica, me punë nga mëngjesi deri kur mbaronte gazeta që shkonte në shtypshkronjë deri në 12 natës. Tani po të kthehesha prapë, sigurisht që mund ta bëj, por them jo faleminderit. Ishte një lloj ‘gavete’ që duhet ta bëja që atë arrija komoditetin që kam tani. Në të 40-at le të jemi edhe pak egoistë, gjithë këto që ke mbjellë në 20 vitet e shkuar tani ke mundësi ti shijosh, ti përkushtohesh dhe pasioneve të tua.

“Jeta seksuale teknikisht perfekte”, Teuta Doçi: Pas të 40-ave gjithçka duhet fort

Jeta fillon te të 40-at, kjo ishte tema e trajtuar këtë të premte në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Iva Tiço, Arba Gramo dhe Teuta Doçi ishin të ftuarat e ditës së sotme të cilat treguan në studio se i kanë përjetuar të 40-at e tyre. Sipas tyre është e vërtetë se qetësia që një grua arrin në atë moshë është shumë më e madhe për shkak se deri diku i kanë arritur gjërat që kanë dashur të bëjnë dhe pas moshës 40-vjeçare kanë më shumë kohë të merren me veten e të jenë më të qeta e të sigurta. Megjithatë kjo mbetet individuale.

Sipërmarrësja Teuta Doçi ka treguar se për të vitet e të 40-ave kanë qenë vitet më të bukura të jetës, ku sipas saj në atë moshë të gjitha ‘duhen fort’. Ajo tregon se për të kjo moshë ka qenë edhe mosha ku jeta seksuale ka qenë më perfekte dhe se çdo gjë në jetë duhet më fort, jeta, puna…

Rudina Magjistari: Ti përmende edhe çështjen e intimitetit pas të 40-ave, si ndryshon?

Teuta Doçi: Po ndryshon se arrihet një pjekje seksuale mbi 40 vjeç. E thamë teknikisht perfekte.

Rudina Magjistari: Duke dëgjuar edhe të gjithë këshilluesit që është e rëndësishme edhe për shëndetin të kesh një jetë të shëndetshme seksuale.

Teuta Doçi: Po, sidomos në jetën e një çifti, kur ka dhe vite që është martuar për ta rifreskuar gjënë, mbi 40 vjeç mendoj se duhet të bësh edhe disa gjëra të tjera, të cilat mund t’i kesh lënë mënjanë me  mendimin që 30 vjeç jam e re, nuk pyes se me rininë time, patjetër me mua do rri. 40 vjeç kupton që janë disa gjëra që duhet ta bësh lidhjen tënde më interesante.

Rudina Magjistari: Pra duhet të impenjohesh edhe ti.

Teuta Doçi: Po. Desha të them edhe diçka tjetër unë 40 vjeç nuk kam menduar vetëm për relaksim, por meqë thashë është mosha e produktivitetit, unë atë 10-vjeçar kam punuar më fort se sa kur isha 30. Kam punuar më fort, jo vetëm fizikisht, por jam përpjekur që rezultatet e punës sime t’i kisha më shumë, se dija më shumë, kisha eksperiencë më të madhe. Kam punuar më shumë 40 vjeç. Mbi atë 10-vjeçar, kam filluar të mendoj, prit se duhet edhe pushim për mua. Duhet të gëzoj pak më tepër, sepse dhashë maksimumin tim. Fillimisht në atë rrëmujën që nuk dinim, pastaj në eksperiencën e organizuar me vështirësi. Prandaj në moshën 40-vjeçare gjithçka duhet fort. Jeta duhet fort! Qejfi duhet fort! Puna duhet fort! Seksi duhet fort! Të gjitha gjërat fort!

“Më kapi aritmia e zemres”, Erik Lloshi rrëfen momentin më të keq

“Tre minuta, si tre vjet”, Erik Lloshi tregon momentet e tmerrit në skenë

Erik Lloshi një nga këngëtarët më të pëlqyer të muzikës shqiptare, ishte i ftuar këtë të premte në emisionin “Rudina” në Tv Klan. Ai tregoi për eksperiencën e tij në “Këngën Magjike”, ku është rikthyer në konkurrim pas 9 vitesh mungesë. Këtë herë ai konkurron me një këngë ritmike me titullin “Zanë moj”, e cila sipas tij i kushtohet dashurisë.

Ai gjithashtu ka rrëfyer një nga momentet më të vështira të jetës së tij në skenë, moment të cilin edhe kur e kujton ndihet keq. Këngëtari ka fobi nga lartësitë dhe në performancën e tij te “Kënga Magjike” në Pallatin e Kongreseve, ku do këndonte së bashku me Anxhela Peristerin e kapi paniku që te shkallët që ishin pa mbajtëse.

Eriku tregon se ai ndjeu t’i errej shikimi, madje i filloi edhe aritmia, por gjithsesi performancën nuk e la. Madje edhe pse Anxhela Peristeri kishte dashur të ndalonin ai kishte dashur të vazhdonin dhe i kishte thënë “nëse do e lë frymën e fundit, le ta lë në skenë”.

Erik Lloshi: Sa herë e kujtoj, djersë të ftohta më shkojnë edhe tani. Është një histori që shumë pak veta mund ta finalizojnë një 3 minutësh, të cilat të duken si 3 vjet. Si një moment që nuk mbaron kurrë! Unë kam një fobi ndaj lartësive dhe në momentin që unë po diskutoja me producentin e Këngës Magjike që do zbrisnim nga shkallët, mua që aty më kapi paniku se shkallët nuk kishin mbajtëse. Duke zbritur në momentin që njofton Arditi që ishte live, pa regjistrim në Pallatin e Kongreseve, mua më kapi paniku dhe aritmia e zemrës dhe kur kam zbritur poshtë i thash Anxhelës që unë nuk shikoj. Kjo nuk është në YouTube, se kanë qenë momente jo të mira të miat.

Rudina Magjistari: Po në transmetim kanë dalë ato?

Erik Lloshi: Po. Edhe në Pallatin e Kongreseve e kanë vënë re të gjithë.

Erik Lloshi: Në atë moment më errën sytë, më bie tensioni. Anxhela donte ta ndërpriste këngën. Unë i thashë vazhdojmë, nëse do e lë frymën e fundit le ta lë në skenë.

Rudina Magjistari: Aq keq ke qenë!

Erik Lloshi: Po nuk e ndalova këngën./tvklan.al

“Kthim në shtepi”/ Historia e një gruaje mes drames së luftës dhe ëndrrave të saj