#Rudina, një program nga autorja dhe moderatorja #RudinaMagjistari, një prej emisioneve më të ndjekur dhe të dashur për publikun duke ofruar tema të larmishme për të gjithë familjen.

Të ftuar: Donika Mici, Nard Ndoka,Vilma Masha, Renaldo Salianji, Arjola Shehu

Elektro-auto, babysitter, kamarier/ të ftuarit zbulojnë punën e tyre të parë

Kamarier gjatë ditës dhe picajol turinin e dytë/ gazetari rrëfen për punën e parë

Ja si të përgatisni sepjet në dy mënyra për ti servirur si antipastë

Spikeri i lajmeve: Kam punuar kamarier dhe picier, tek një derrkuc kisha mbledhur 1 milion Lekë

I ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ka qenë spikeri i lajmeve Renaldo Salianji i cili ka treguar se puna e parë që ka punuar, ka qenë kamerier dhe më pas picier. Ai tregon se kur ishte kamerier të gjitha bakshishet i fuste tek një derrkuc dhe pas disa muajsh, kur nuk nxinte më Lekë, e hapi dhe kishte mbledhur rreth 1 milion e pak Lekë.

Rudina MagjistariSi ka nisur historia jote në marrëdhënie me punën?

Renaldo Salianji: Puna ime e parë e vërtetë që punova një muaj dhe mora rrogë në fund të muajit, ka qenë kamarier, kisha punuar më përpara se të filloja universitetin, por ishin gjëra të vogla që ndihmoja shokët e mi më të rritur kur punonin kamarierë nëpër evente. Erdha në Tiranë, fillova shkollën dhe kuptova që kisha pak kohë për të punuar. Nuk është se e bëra për çështje Lekësh, studentëve gjithmonë i duhen Lekët, por isha me nota të mira, kisha bursë, merrja para nga universiteti dhe mund t’ia dilja me ato pak para që merrja, dhe fillova punën e parë si kamerier. 

Rudina Magjistari: Pse fillove të punojë, ndërkohë që të ardhurat i kishe?

Renaldo Salianji: Kur shkëputesh nga familja dhe fillon shkollën, kur vjen në një qytet tjetër nga një qytet i vogël siç jam unë, ti do që t’i tregosh familjes që je i pavarur, që unë tani jam 18 vjeç, nuk dua Lekë nga ju, madje kur kthehesha ju çoja edhe ndonjë dhuratë familjes vetëm për të treguar që je i rritur dhe mund t’ia dalësh vetë.

Rudina Magjistari: E mban mend rrogën e parë?

Renaldo Salianji: 150 mijë Lekë të vjetra rroga, por kamarierët kanë bakshishet dhe unë kisha marrë një derrkuc dhe futa të gjitha bakshishet derisa u mbush plot dhe e hapa.

Rudina Magjistari: Sa të ishin mbledhur?

Renaldo Salianji: Ishin mbledhur deri tek 1 milion e pak tek derrkuci.

Rudina Magjistari: Shi, shi, për sa kohë?

Renaldo Salianji: Po për 5-6 muaj.

Rudina Magjistari: Po ia vlen puna e kamarierit!

Renaldo Salianji: Dhe pas punës si kamarier, pastaj kjo ishte gjatë kohës që isha në shkollë, fillova të bëj dy punë kur mbarova shkollën gjatë verës. Punoja dhe kamarier paradite dhe turni i natës në një piceri, bëja pica. Fillova fillimisht për të parë si bëheshin picat edhe pastaj kuptova që kisha aftësinë për të bërë pica dhe vazhdova një tre muaj derisa filloi shkolla prapë. 

Nard Ndoka tregon punën e parë: Ishim të persekutuar, punova si elektro-auto në moshën 15 vjeç

Një ndër të ftuarit në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ka qenë politikani i njohur Nard Ndoka i cili ka rrëfyer se kur ka nisur të punojë për herë të parë. Ai ka bërë punën e tij të parë kur ishte 15 vjeç dhe në pamundësi për të ndjekur një shkollë sepse vinte nga një familje të persekutuarish, ai hyri në një shkollë profesionale, ku dhe ajo ishte e vështirë sipas Ndokës, por në fund ia arriti të punonte si elektro-auto, profesion i cili ka të bëjë me rregullimin e makinave. Ai tregon se këtë punë e ka bërë për disa vite me radhë dhe me ardhjen e demokracisë pati mundësi që të ndiqte degën e juridikut.

Rudina Magjistari: Nard Ndoka, 15 vjeç cila ka qenë puna jote e parë?

Nard Ndoka: Unë kam pasur disa pengesa më përpara, ishte persekutimi i familjes time, që ishte ëndërr vazhdimi i shkollës së lartë, kështu që do tentoja pa diskutim që të kisha një shkollë profesionale. Edhe shkolla profesionale ishte shumë e vështirë, që do përfundoja ose në shkollë bujqësore, kishte një shkollë të mesme bujqësore dikur ose ishte shkolla e përgjithshme, edhe aty duhet një mik i fortë, ndërsa për të marrë një degë profesionale ishte në kufijtë e pamundësisë, kështu që unë jam detyruar që 15 vjeç, kuptohet që me ndihmën e prindërve se atëherë isha shumë i vogël, kam ikur në Fierzë dhe jam regjistruar në një shkollë profesionale, degë elektrike dhe kam punuar, zgjodha një profesion, elektro-auto. Është një profesion që unë e kam dashuruar për hir të realitetit, pra është ai personi që merret komplet me pjesët elektrike të një makine me dritat, me ndezjen, me dinamon që prodhon energjinë.

Rudina Magjistari: Në qoftë se nuk do ishe bërë një politikan, do ishe pronari i një servisi makinash?

Nard Ndoka: Po, edhe ndoshta edhe më mirë. Pastaj i jam përkushtuar këtij profesioni për disa vite, në ’90-ën erdhi demokracia, është hera e parë që e përdora statusin e të persekutuarit se me thënë të drejtën, nuk kam patur asnjëherë dëshirën në 30 vite, që ta përdorja si kartë, më dukej vetja sikur e përdornin dikur fëmijët e komunistëve.

Rudina Magjistari: Pse e ke përdorur statusin e të persekutuarit?

Nard Ndoka: E përdora që të regjistrohesha të vazhdoja juridikun. Unë kam qenë i persekutuar goxha.  Gjyshin e dënuan me pushkatim, gjyshi nga nëna u arratis në Gjermaninë perëndimore, xhajën e babës e dënuan me 30 vite burg politik, pra isha në kufijtë e pamundësisë.

Punonte dikur si dado, Ndoka e pyet: Vajza kineze pati ndonjë problem? Arjola Shehu: Shpëtoi mirë…

E ftuar tek “Rudina” në Tv Klan, moderatorja e njohur Arjola Shehu, ka treguar punën e parë të saj që ka bërë për herë të parë. Ajo ka punuar si dado në një familje angleze, ku duhej të kujdesej për vajzën kineze që ata kishin adoptuar. Kjo punë nuk zgjati më shumë se 3-4 jave, pasi nuk arriti ta bënte dot si punë.

Arjola Shehu: …E kam nisur si të thuash atë eksperiencën e parë të marrëdhënies me punën dhe paranë, por unë nuk e kam dorëzuar. Unë i përkas brezit të demokracisë dhe me thënë të drejtën kam patur një fëmijëri pak të llastuar për shkak dhe të mundësive dhe të kohës që erdhën me ardhjen e demokracisë. Kur i thashë prindërve që unë kam ndërmend që të nis një punë se me doli si mundësi, ata në fillim u surprizuan, pse do fillosh një punë, pastaj u treguan shumë dashamirës dhe mbështetës që unë të merrja këtë si iniciativë edhe pse mund ta them që nuk ishte versioni im më i mirë. Më erdhi një mundësi që të punoja në një familje të huaj, angleze. Ata kishin një vajzë të adoptuar, ishte kineze, vetëm 6 vjeçe dhe unë në atë kohë duhet të kem qenë diku tek 18 vjeç. Unë akoma nuk dija të kujdesesha për veten me thënë të drejtën.

Rudina Magjistari: Por më tepër i ke bërë shoqëri, shumë interesante.

Arjola Shehu: Flisja dhe komunikoja në anglisht, ishte kjo një arsye pse unë dëshiroja ta nisja si punë, për ta praktikuar pak. Prindërit e vajzës më jepnin direksione duhet të bësh këtë, duhet të bësh atë. Me thënë të drejtën gjysmat nuk i bëja dhe me kalimin e javëve e kuptova që nuk ishte gjëja që unë mund të bëja  të jem e sinqertë. Ndoshta sot mund ta bëj shumë më mirë, por në atë kohë… Edhe pse më mësoi me tregun e punës, nuk ishte vërtet ajo që ndihesha mirë dhe u tërhoqa shumë shpejt, 3-4 javë.

Rudina Magjistari: Të paktën more një rrogë aty apo jo?

Arjola Shehu: Po le të themi një rrogë, me honorare, me orë pune. Nuk e mbaj mend sa ishte, por kam përshtypjen se në fund m’u grumbulluan diku tek 120 mijë Lekë, që për mua në atë kohë ishin një gjë e lezetshme se mund të blija diçka përtej atyre shpenzimeve që i shkaktoja prindërve.

Nard Ndoka: Kinezja e vogël nuk pati ndonjë problem?

Arjola Shehu: Shpëtoi mirë se ika shpejt (qesh). 

“E mendojnë veten VIP dhe i shmangen këtyre gjërave”. Çfarë do të thotë Nard Ndoka me këtë?

Në emisionin “Rudina”, në Tv Klan kanë qenë të ftuar, sipërmarrësja Donika Mici, Nard Ndoka, gazetarja e sportit Vilma Mashaj, moderatore Arjola Shehu dhe spikeri i lajmeve Renaldo Salianji të cilët kanë diskutuar për punën e parë që kanë bërë gjithsecili prej tyre. Arjola Shehu ka treguar se në moshën 18 vjeç ka filluar të punojë si dado tek një familje angleze që të kujdesej për vajzën që ata kishin adoptuar nga Kina. Nard Ndoka e vlerëson Arjolën për sinqeritetin e saj dhe shprehte se puna është nder dhe i sjell të ardhura familjes. Ndërsa disa nga kolegët e tij kur i dëgjon nëpër intervista, ve re se nuk tregohen të sinqertë për punën e tyre të parë.

Nard Ndoka: Është shumë pozitive që Arjola e tregon si eksperiencë.

Rudina Magjistari: Pse mendon që edhe mund të mos e tregonin ëë?

Nard Ndoka: Disa që e mendojnë veten VIP të rëndësishëm, i shmangem këtyre gjërave, por puna është nder për çdo njeri, i sjell të ardhura vetes, i sjell një eksperiencë, bëhesh krahë dhe për familjen. Shoh shpesh edhe kolegët e mi, pra i shmangen, madje edhe aty tek një intervistë tha kam filluar përgjegjës punën e parë, përgjegjës nuk fillohet puna e parë, është shumë e vështirë, duhet të fillosh diku tjetër. Kjo është interesante, të paktën brezi i ri duhet të edukohet me këtë. Unë dhe fëmijët e mi i kam futur në punë që të vegjël, edhe në shkollë edhe në punë, kamerierë, banakierë, çfarëdo.

Rudina Magjistari: Mendoj që prindërit duhet t’i stimulojnë, t’i shtyjnë. Gjatë periudhës së verës është bukur që të kenë eksperienca të tilla.

Nard Ndoka: Ka një lloj mentaliteti paragjykues dhe frenues dhe kjo nuk është e mirë.

Donika Mici: Të them të drejtën unë gocën time e vishja me përparëse të bardhë, e nxirrja në fabrikë, sepse unë 5 vite kam fjetur në fabrikë. Gjatë verës kur kthehej nga Italia se ajo ka ikur 10 vjeçe për të studiuar andej dhe kthehej dhe rrinte 8 orë në fabrikë. Ok bënte hile, fshihej pas kartonëve, të gjitha gjërat i bënte, por ishte i detyruar që 8 orë të rrinte mbrapa magazinierëve dhe mbrapa njerëzve për të kuptuar logjikën e punës. Edhe pse ishte 15-16 vjeçe e ka bërë për vite me radhë atë punë dhe e shoh sot që në punën e saj që ajo bën që është e pavarur, është shumë më përpara sesa një shoqe e vetë që nuk ka punuar kurrë. /tvklan.al