Në studio: Ueda Ndrecaj, Arlind Gashi, Arjan Konomi
Rrëfehen Ueda Dhe Arlind, fituesit e edicionit të parë të Love island Albania
Historia e patreguar e Arlindit: Babi u sëmur në moshën 18-vjeçare nga Parkinsoni
Ueda dhe Arlind triumfuan në edicionin e parë të “Love Island Albania” duke dhuruar emocione të forta. Lidhja e tyre nisi në spektaklin e dashurisë në Tv Klan, një rrugëtim që u ndoq nga publiku dhe familjet e tyre.
Në intervistën e tyre të parë të përbashkët pas përfundimit të spektaklit, Ueda dhe Arlind rrëfejnë për “Rudina” planet për të ardhmem. Ueda shpreh dëshirën për të lënë Anglinë dhe të shpërngulet në Gjermani për të jetuar me Arlindin dhe prindërit e tij.
Arlindi, i cili jeton prej thuajse 30 vitesh në Gjermani ku ka edhe bizneset, zbulon më shumë detaje për familjen e tij. Në “Love Island Albania” ai ka rrëfyer se babai i tij është i sëmurë dhe rrëfen për herë të parë anën e patreguar të historisë.
Arlind: Vështirësia më e madhe që ka qenë aty dhe presioni më i madh që kam pasur unë aty është që i kam pasur vetëm. I kam të dy shumë të moshuar, unë kam ardhur shumë vonë. Ka qenë një histori shumë e dhimbshme, e kam prekur një çikë se unë kam ardhur si individ dhe unë s’kam dashur shumë të jap se kemi vuajtur fundja fare të gjithë në mënyrat e veta. Ka qenë vështirësia që kanë qenë vetëm, ato s’janë mësuar. Unë e kam babin të sëmurë me Parkinson. Që 18 vjeç m’u sëmur dhe Parkinson, për ata që nuk e dinë janë dridhje, nuk kontrollon dot muskulaturën dhe isha i detyruar që të bëhesha unë shtyllë shtëpie me atë kuptim. Babin e kam pasur shumë pozitiv, është unikat. Me këtë rast, ju dua shumë.
Rudina Magjistari: I ke bërë të lumtur kam përshtypje. Të kanë ndjekur nga ekrani, janë emocionuar me ty. Ke performuar bukur siç ata do të kishin dashur dhe mbi të gjitha, po shkon çift tani.
Arlind: Më kanë përqafuar dhe më kanë dhënjë kurajë shumë të madhe. Kanë qenë gjithmonë një shtysë në jetën time që nuk e kam pritur kurrë, në çdo lloj lëvizjeje, në çdo lloj investimi kanë qenë gjithmonë pro. Normalisht që ka vështirësi, ka edhe gjëra që nuk ecin se s’i planifikon në jetë por shyqyr Zotit mua më kanë ecur ca punë dhe janë krenarë. Kur kam hyrë këtu, problemi i madh është që 3 muaj, ata sikur edhe një harxhë, makina, janë të detyruar të lëvizin, mami i është përkushtuar babit, ta ruajë. Mua më binin gjëra për të blerë harxhet, në momentin që merrja mamin bëja gjërat që duheshin për shtëpi përveçse punoja që isha dhe i angazhuar me bizneset. Kjo më ka vrarë shumë shpirtërisht aty brenda, kam qenë shumë nën presion, kam pasur shumë vuajtje e siklet se nuk e dija se si… sepse s’jam mësuar.
Rudina Magjistari: E bëjnë pa ty se ke qenë ndihmë shumë.
Arlind: Gjithmonë më kanë thënë trego vetveten, kanë qenë fjalë që i kam mbajtur gjithmonë në zemër. Trego veten, gjithmonë vetveten, do ia dalësh dhe do vish me një gocë që e meriton ashtu si e ke shpirtin.
Çeku i 50 mijë Eurove, Arlind: Prindërit e Uedës e meritojnë!
Dashuria e Uedës dhe Arlindit i dhuroi çiftit jo vetëm fitoren në “Love Island Albania”, por edhe çmimin e madh prej 50 mijë Eurosh. Siç u pa në finalen e madhe, Ueda zgjodhi dashurinë dhe vendosi që paratë t’i ndajë me Arlindin.
Megjithatë, Arlindi është shprehur se veprimi i parë që do të bëjnë me paratë është të ndihmojnë prindërit e Uedës me një pjesë të tyre. Këtë deklaratë çifti e sqaron më gjatë për “Rudina” në Tv Klan në intervistën e tyre të parë të përbashkët.
Ueda: Edhe pse kam këtë dëshirë shumë të madhe që t’ua kthej në njëfarë mënyre prindërve të mi se kanë sakrifikuar shumë, e di se ata nuk kërkojnë asgjë ndaj meje dhe janë shumë krenarë për kush është Ueda dhe vajzën që kanë rritur. Ashtu si njerëzit thonë jam i mirë vetë, e di se prindërit e mi janë shumë më të mirë që më kanë rritur kështu. Dua në njëfarë mënyre t’ua kthej, por besoj që fakti që unë jam Ueda dhe jam duke përcjellë gjërat që ata më kanë mësuar është njëfarë gjëje më e madhe se sa leku apo ndonjë gjë, ata nuk e presin hiç.
Arlindi vlerëson sakrificën e prindërve në emigracion dhe e mbështet deklaratën e partneres së tij.
Arlind: Ueda ka detyrat e veta se kanë investuar me çdo kusht dhe janë të detyruar të marrin pjesën e tyre, e meritojnë.
Parandjeu dashurinë, Ueda: Mendova se do ta humbisja nëse nuk do merrja pjesë në “Love Island”
Ueda dhe Arlindi ndoqën një rrugëtim të gjatë në “Love Island Albania” që u finalizua edhe me fitoren e tyre, por iu desh të kalonin disa hapa përpara se të gjenin veten te njëri-tjetri. Në intervistën e përbashkët për “Rudina” në Tv Klan, Ueda përshkruan shijen që i ka lënë spektakli i dashurisë.
Ajo rikujton dyshimet për pjesëmarrjen, por tashmë secili prej tyre është zhdukur sepse dashuria triumfoi në zemrat e dy të rinjve.
Ueda: Unë e përshkruaj si një ëndërr shumë të madhe që është bërë realitet. Ka qenë shumë e vështirë sidomos në fillim, duke u munduar të gjej veten duke njohur persona të tjerë por me Arlindin kam gjetur veten plotësisht, ai më kupton, edhe unë e kuptoj Arlindin, kemi një komunikim shumë të bukur, shumë të mirë. E duam njëri-tjetrin shumë. E di që duket shumë shpejt, por dashuria kështu është, nuk ka afat. Jam shumë mirënjohëse për rrugëtimin tonë dhe kam patur pak dyshime për të hyrë dhe e kam shprehur këtë gjë, por jam shumë e lumtur që e hodha atë hap.
Ueda shton se gjithnjë ka dashur të gjejë dikë për ta patur pranë dhe besimi se “Love Island Albania” do të ishte vendi i duhur, e shtyu të merrte pjesë.
Ueda: Kisha besimin se do gjeja dikë. E kam patur këtë ndjesi, thashë nëse nuk shkoj ndoshta do humbas dikë që kam për ta patur përjetë dhe ajo më ka shtyrë më shumë.
Shpirtra binjakë! Ueda dhe Arlind zbulojnë detajin e përbashkët
Arlindi, gjysma e çiftit fitues të edicionit të parë të “Love Island Albania” zotëron disa biznese në Gjermani ku njëri prej tyre i dedikohet luleve. Gjatë intervistës së parë të çiftit për “Rudina” në Tv Klan, ata zbuluan se e ardhmja e tyre do të vijojë me bashkëjetesë.
Megjithatë, përpara këtij hapi të madh çifti nuk i shpëtoi një pyetjeje të thjeshtë, por ngacmuese e cila tregoi se e njohin njëri-tjetrin edhe në detaje të vogla si lulja e preferuar.
Rudina Magjistari: E ke pyetur Uedën cila është lulja e saj e preferuar?
Arlind: Do të përgjigjesh vetë?
Rudina Magjistari: Unë në fakt isha kurioze të dija nëse Arlindi e di apo jo.
Ueda: E di.
Arlind: Orqide ose orqidel quhet në gjermanisht, orkideja është këtu. Normalisht edhe unë kam thënë që edhe imja e preferuar është orqideja si shprehet këtu.
Rudina Magjistari: Në fakt është lule shumë e bukur, shumë elegante, klas, delikate. Kështu që do ta mbushësh me orkide Uedën tani, çdo ditë nga një orkide ose shtëpia juaj do të jetë e mbushur me orkide me siguri.
Ueda: Po.
Nga Poli i Veriut në Polin e Jugut/ Udhëtimet e Arjan Konomit me aventura dhe të papritura
Ndryshimi i përfolur i Arjan Konomit, opinionisti shuan kuriozitetin
Një udhëtim vertikal nga Poli i Veriut drejt atij të Jugut është aventura e madhe që ka ndërmarrë Arjan Konomi. Opinionisti ka shëtitur vende të ndryshme dhe ka përjetuar shijen e kulturave por ndërkohë udhëtimi e ka mbajtur për një kohë të gjatë larg ekranit.
Për herë të parë pas kthimit në Shqipëri, ai vjen në studion e “Rudina” në Tv Klan. Konomi thotë se udhëtimi i ka shërbyer për t’u relaksuar e për të medituar, por Magjistarit nuk i shpëton edhe rifreskimi i pamjes së tij.
Rudina Magjistari: Ej të shikoj edhe shumë në formë, nuk e di, ka ndodhur një ndryshim.
Arjan Konomi: Po kanë ndodhur ca ndryshime.
Rudina Magjistari: Se ka ndryshuar Arjan Konomi në portret shumë. Çfarë ka ndodhur?
Arjan Konomi: Është folur shumë dhe mua më vjen për të qeshur dhe kënaqem edhe me komentet se ne shqiptarët shquhemi për të bërë komente edhe pikante, ngacmuese, ironizuese. Një fantazi që duhet të vijë nga folklori popullor i dikurshëm që kemi patur shumë të pasur dhe tani është transformuar në këto komente. Më vjen për të qeshur ndonjëherë dhe qesh duke i lexuar, por nuk merrem me gjëra të vogla ndërkohë që…
Rudina Magjistari: Tani na trego çfarë ke bërë po lëri këto…
Arjan Konomi: Po kam bërë flokët në radhë të parë. Jam me flokët e vëna, të miat për herë të parë pas një jete dhe shpëtova se vetëm qerosët më kuptojnë se çfarë do të thotë për meshkujt.
Me humor, Konomi shton se mezi pret të shohë komentet dhe se “vetëm qerosët lejohen” por më pas shpjegon edhe ndikimin e këtij ndryshimi të pamjes.
Arjan Konomi: Të gjithë e duan këtë gjë, sidomos për meshkujt dhe kur janë të rinj, ndihen të rinj është një vuajtje shumë e madhe që të ndikon në atë vetëvlerësimin e vetes. Femrat nuk e kuptojnë kurrë, ndoshta kush mund të ketë probleme, të rralla janë femrat që mund të kenë probleme me rënie flokësh, por për djemtë është shumë e rëndësishme. Të gjithë e vuajnë, kush e jep veten, kush nuk e jep por të gjithë e kanë ëndërr që ta bëjnë atë gjë ndaj mos ngurroni se janë bërë edhe mjetet e teknologjisë shumë të thjeshta dhe pas gjithë këtyre fjalëve që the ti që kam ndryshuar për mirë ndihem një njeri tjetër komplet./tvklan.al