Të ftuar:

Ervis Behari – Këngëtar

Ai është një këngëtar i ri, i cili po ecën shumë mirë në tregun muzikor. Vetëm pak ditë më parë, Ervis Behari ka publikuar këngën e tij më të re titulluar “Plaka mbi taka”, ku protagoniste janë 4 zonja. I ftuar në studion e “Rudina”, në Tv Klan, Behari tregoi më tepër rreth realizimit të klipit dhe prapaskenave të tij.

“Vetëm një incident ka ndodhur gjatë xhirimeve, të cilin nuk ia kam thënë zonjave, sepse nuk doja që të mërziteshin, por makina ime ishte automatike dhe unë në një moment frenova fort dhe të gjitha zonjat më ranë sipër. Për momentin nuk iu tregova gjë, ishte një gropë iu thash, por asnjë nuk u lëndua”, tha Behari.

Gjatë emisionit, në studio erdhën surprizë edhe katër zonjat protagoniste në klip, Barije Canko, Xhevaire Terziu, Zhaneta Musha, Merita Meçollari. Ndërkohë këngëtari po ashtu sqaroi se titulli i këngës “Plaka mbi taka” është vënë për ta bërë sa më gazmore këngën.

“Plaka mbi taka” është klipi im më i ri, por fjala “plakë” është në thonjëza sepse ato janë zonja të nderuara, por për ta bërë më gazmore këngën e vendosëm titullin kështu. Ideja e klipit ishte e Adrian Hilës, të cilin dua ta falenderoj që besoi në talentin tim që në fillim. Edhe tekstin e ka bërë Adi Hila dhe ideja ishte të krijonim një këngë gazmore, pse jo për “plakat”. S’ishte bërë ndonjë këngë për “plakat” më parë. Është një mesazh që të gjitha zonjat të lëvizin, të dalin dhe të mos kenë komplekse nga mosha. Klipi është xhiruar për një ditë, sepse puna shkoi shumë mbarë dhe zonjat ishin aktore shumë të mira. Videoklipi është xhiruar tek Gjiri i Lalzit”, tregoi këngëtari.

Jonida Beqo – Drejtoreshë e teatrit “Metropol”

Rozi Kostani – Regjisore e shfaqjes “Rrajtë lëvizin”

Sonila Kapidani – Regjisore e shfaqjes “Kryet e hudhrës”

Ashtu si në edicionin e parë, edhe sivjet Teatri Metropol i dedikohet njohjes dhe vënies në skenë të dramaturgjisë shqiptare.

Ky edicion i “MetroFest” sjell pesë vepra shqiptare të nxjerra nga arkivi, si “Rrajtë që lëvizin” e autorit Ernest Koliqi, “E bija e krahinarit” nga Kristo Floqi, “Kryet e hudhrës” nga autori Kristë Berisha, “Makaronat e shejtanit” nga Lazër Lumezi, si dhe “Prangat” nga autori Halil Laze etj. Gjithashtu netët e këtij festivali do të ndërthuren dhe me aktivitete të tjera alternative.

Aktiviteti pritet të startojë ditët e para të Tetorit, por për të treguar më tepër rreth këtij aktiviteti ishin të ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, Jonida Beqo, drejtoreshë e teatrit “Metropol”, Rozi Kostani, regjisore e shfaqjes “Rrajtë lëvizin” dhe Sonila Kapidani, regjisore e shfaqjes “Kryet e hudhrës”.

Beqo tha se ky edicion i “MetroFest” do të sjellë 5 vepra shqiptare nga arkivat të cilat janë të panjohura ose janë trajtuar vetëm si letërsi.

“Ky është edicioni i dytë i festivalit “MetroFest”, vjet në Nëntor patëm edicionin e parë, i cili ishte sfidë për ne. Fokusi i “MetroFest” është vepra shqiptare e arkivit, drama shqipe, që për një arsye ose për një tjetër, nuk janë vënë në skenë, janë të panjohura ose janë trajtuar vetëm si letërsi.

Ndryshe nga viti i kaluar që kishim 3 vepra, këtë vit jemi bërë më ambiciozë dhe kemi 5 vepra shqiptare, dy prej të cilave me regji të Rozi Kostanit dhe Sonila Kapidanit. Jemi shumë entuziastë për përfshirjen e të gjithë brezave të artistëve dhe për padurimin me të cilin publiku po e pret. Ky festival do të zhvillohet në datat 3-7 Tetor dhe 10-14 Tetor. Kemi vendosur ta bëjmë në dy fundjava, sepse kërkesat ishin të shumta vitin e kaluar”, tha Beqo.

Mario Hysneli (Arnon Gram) – Këngëtar