Te ftuar:

Etmond dhe Wendi Mancaku

Ai është një nga emrat e njohur të muzikës shqiptare, që ka bërë muzikë të bukur në zhanrin pop rock në vitet ’90, por që nuk është ndalur dhe vijon rrugëtimin e tij dhe sot. Bëhet fjalë për Etmond Mancakun, i cili mesa duket dashurinë e madhe për muzikën e ka trashëguar edhe tek vajza e tij Wendi, të cilën gjithashtu e kemi parë që të vogël në spektakle televizive.

Wendi Mancaku ka spikatur për talentin dhe zërin e saj dhe tashmë ajo është rritur dhe madje ka filluar të kompozojë dhe të krijojë vetë këngët e saj. Babë e bijë ishin sot të ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, nga ku rrëfyen pasionin për muzikën dhe kontradiktat mes tyre.

“Fillimet e mia janë me grupin “Klandestin” të cilin unë e gjeta të formuar. Fillesat ishin inoçente derisa krijova shinën time. Anëtarët e grupit emigruan të gjithë, vetëm unë mbeta këtu, e desha shumë Shqipërinë dhe në 1994 pata debutimin tim të parë si kompozitor me një këngëtar që nuk jeton më, Abaz Zusi. Më pas vjen albumi i parë. Unë kam bërë 5 albume. Kënga “Si banania” e Dashnor Dikos është kompozuar dhe orkestruar nga unë. Ishte një rrymë që e solla për herë të parë. Hera herës unë dhe Wendi kemi kontradikta, por e rëndësishme është që të dy kemi në princip melodinë. Unë nuk do doja që Wendi të ishte si shumica, do doja që të bëjë këngë që mbeten”,

 tha Etmond Mancaku.

Ndërkohë Wendi rrëfeu se ka nisur të kompozojë që në moshën 12-vjeçare dhe këtë vit kënga “Ëndrra ime” muzikën e së cilës e ka bërë ajo është pjesëmarrëse në “Këngën Magjike”.

“Unë kam filluar të kompozoj që në moshën 12-vjeçare, por shumë materiale nuk i kam regjistruar dhe më kanë humbur. Shumicën e melodive e kam bërë natën. Dhe një këngë që është këtë vit në “Këngën Magjike” e titulluar “Ëndrra ime”, melodinë ia kam bërë natën. Jam zgjuar nga gjumi dhe e regjistrova me celular që të mos e humbja si motiv dhe kur u zgjova në mëngjes fillova ta përpunoj në piano”

, tha Wendi.

Mimoza Keta – Gjinekologe

Ardhja në jetë e një fëmije është padyshim një nga momentet më të bukura për prindërit. Por që fëmija të jetë i shëndetshëm dhe nëna të kalojë një shtatzëni të lehtë është shumë i nevojshëm këshillimi parakonceptual me mjekun gjinekolog.

Mjekja gjinekologe Mimoza Keta ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, për të folur në mënyrë të detajuar rreth rëndësisë së këshillimit parakonceptual. Keta tha se çiftet duhet të drejtohen patjetër tek gjinekologu për të bërë ekzaminime, për të vlerësuar shëndetin riprodhues, me qëllim që shtatzënia të ketë një ecuri të mbarë.

“Këshillimi përpara se të konceptosh një shtatzëni është shumë i rëndësishëm. Në të gjithë botën flitet për këshillimin parakoncepsional. Çiftet duhet të drejtohen patjetër tek gjinekologu për të bërë ekzaminime për të vlerësuar shëndetin riprodhues, me qëllim që shtatzënia të ketë një ecuri të mbarë. Spermatozoidët, të cilët janë me miliona duke rënë në kontakt në vaginë, ku ka një ambient acid, një pjesë shumë e madhe e tyre ngordhin. Vetëm disa qindra arrijnë të penetrojnë brenda në kavitetin e mitrës. Ekzaminimi gjinekologjik bëhet për të vlerësuar qafën e mitrës, pasi infeksionet përqendrohen kryesisht aty ku ka dy lloj bakteresh, një që rritet në prani të oksigjenit dhe një tjetër që nuk rritet në prani të oksigjenit.

Në ditën e 14 deri në ditën e 16 të ciklit menstural formohet një vezë që në këto ditë del nga folikuli dhe fekondohet në tub me spermatozoidin. Më pas veza vendoset në kavitetin uterin.

Pa diskutim kontrolle duhet të bëjnë edhe meshkujt, shëndeti riprodhues vlerësohet në çift. Meshkujt duhet të bëjnë spermogramën dhe nëse rezulton me probleme duhet të fillojnë trajtimin.

Ekzaminimet që bëhen në qafën e mitrës janë: analiza dhe kultura e sekrecioneve vaginale, mykoplazma, ureaplazma dhe testi i klamidies. Ekzaminimi parakoncepsional ka si qëllim që të trajtojë të gjitha infeksionet dhe problemet që mund të ketë çifti përpara, me qëllim që kur të konceptojnë shtatzëninë ta kenë të mbarë”, tha Keta.

Imarion Ziraj dhe  Ariola Ziraj