Të ftuar:

Fidel Ylli – Politikan/Biznesmen

Ai është një personazh që ka spikatur në Shqipëri në disa sfera. Në sport, ku sot mban titullin “Mjeshtër i Sportit”, në biznes, por dhe në politikë.

Fidel Ylli, fillimet e tij i ka patur në sportin e mundjes, më pas do të ndodhte kalimi në biznes dhe më pas në politikë, ku sot ai është deputet i Partisë Socialiste për qarkun e Durrësit. Ai ishte i ftuari i radhës në studion e “Rudina” në Tv Klan për të folur jo vëtëm për profesionin dhe arritjet e tij, por edhe për jetën private.

Në daljet e fundit të tij është vënë re një rënie drastike nga pesha dhe vetë deputeti sqaroi në detaje se përse ndërmori këtë hap. Ai tregoi se para 10 muajsh peshonte 110 kilogramë, por sot është 30 kile më pak.

“Në Korrik bëj një vit që kam nisur aktivitetin fizik, kam 10 muaj që merrem me sport. Pasi mbarova fushatën e Qershorit, bëra një takim në Durrës me të gjithë njerëzit e sportit. Unë kam shumë shokë atje dhe i mblodha një ditë bashkë me kryetarin e Bashkisë jashtë stadiumit dhe m’u neverit vetja. Ishte Qershor, temperatura ishte 35 gradë dhe unë isha veshur me një xhup, mbuloja barkun dhe më vinte zor nga vetja dhe thashë: Unë t’iu flas këtyre për cilësinë e jetës? Unë jam bërë vetë ku thërret qameti.

Kam qenë maksimumi 85 kile. E pashë veten në një gjendje që s’di të them dhe thashë: Unë të gjitha i kam, familjen e kam, punët i kam shumë mirë, unë s’po gëzoj asgjë, unë s’merrja dot frymë dhe kundërshtar më të madh në jetë kam veten time. Mora një vendim drastik për të ndryshuar cilësinë e jetës time. Jo vetëm sporti, por ushqimi dhe regjimi janë baza. Unë në 10 e gjysmë jam në gjumë dhe në 6-të të mëngjesit dal për aktivitet fizik nga Liqeni i Tiranës. Në darkë ha shumë pak, ndonjë frut, shikoj ndonjë emision sportiv dhe bie të fle. Ky regjim filloi edhe me nxitjen e bashkëshortes time. Unë dikur merrja një grusht ilaçe, sot nuk përdor asgjë”, tha Ylli.

Jemi mësuar ta shikojmë gjithnjë në panelet televizive teksa flet për aktualitetin politik. Por sot politikani Fidel Ylli ka dhënë një intervistë ndryshe. I ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan, Ylli tregoi më tepër rreth jetës private dhe familjes.

Ai është i martuar me Anitën dhe ka dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, Deivi dhe Pegi, të cilët prej shumë vitesh jetojnë në SHBA. Politikani tregoi se në ’97 gruaja e tij aplikoi për Lotarinë Amerikane prej së cilës morën një përgjigje pozitive dhe për “hir të fëmijëve”, siç thotë vetë Ylli, u larguan nga Shqipëria. Sot, ai jeton me nënën e tij dhe shkon shpesh në Amerikë për të takuar familjen.

“Gruaja ime ka mbaruar ekonomikun dhe dikur punonte në Bankën e Shqipërisë. Në ’97 siç bëjnë gratë nëpër zyra, bën kërkesën për llotari dhe na vjen përgjigja pozitive. Unë nuk kisha dëshirë që të largohesha sepse isha shumë i lidhur me prindërit e mi dhe arsyeja tjetër ishte se sapo kisha ngritur biznesin tim. Unë përveç barit kisha hapur me miqtë e mi firmën e ndërtimit. Dhe në atë periudhë unë duhet t’i lija të gjitha dhe të shkoja në Amerikë.

Ishte e pamundur dhe bëmë një kompromis me bashkëshorten dhe për hatër të fëmijëve shkuam. Unë isha me mendje që nuk do të rrija atje dhe unë mbeta në ajër, çdo tre javë shkoj në Amerikë. Vajza, Pegi tani është në master, djali Deivi është në vit të tretë dhe nusja ime po bën të gjitha dokumentet për t’u kthyer në Shqipëri. Periudhën e rinisë që kaluam larg, të paktën ta kompesojmë në pleqëri. Fëmijët flasin shqip dhe e shkruajnë, por ata janë të rritur dhe vendosin vetë, nuk mund t’u them të kthehen në Shqipëri”, tha deputeti Fidel Ylli.

Rubrika “Quiz”