Të ftuar:

Fjolla Morina – Këngëtare

Fjolla Morina është padyshim një nga këngëtaret më të përfolura në mediat rozë, jo vetëm për këngët e saj, por edhe për jetën private.

Sot këngëtarja ishte e ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan për të folur për këngën e saj më të re “Fustani”, bashkëpunim me një tjetër këngëtar, Mani. Gjatë emisionit Fjolla po ashtu zbuloi edhe prapaskenat e klipit të ri.

Ndonëse ka risjellë një këngë të kënduar nga Parashqevi Simaku, Fjolla Morina pranon publikisht se nuk e njeh këngëtaren.

“Të them të drejtën nuk e njoh Parashqevi Simakun, nuk e dija që e këndonte ajo këtë këngë, kërkoj falje. Nuk e kisha parë variantin origjinal, ka shumë këngëtarë që e këndojnë këtë këngë, unë e kam dëgjuar vetëm audio. Ka qenë kompozitori që ma ka propozuar këngën dhe unë e pranova. Për mua është hera e parë që risjell një këngë të vjetër, është një ndjesi e mirë. Pasi publikova këngën më merr një shoqe në telefon dhe më thotë: Oj motër ç’e ke veshë atë llastik. Po tani duhet të ndjekim modën, ç’të bëjmë”, tha Fjolla.

Fjolla Morina së fundmi ka pranuar se nëna e saj, më të cilën edhe jeton në një shtëpi, është diagnostikuar me një sëmundje të rëndë. Kjo e ka bërë këngëtaren edhe më të ndjeshme.

E ftuar sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Fjolla nuk i mbajti dot lotët teksa fliste për nënën e saj, Serveten. Ajo tregoi se është shumë e lidhur me të pasi babai i saj është ndarë nga jeta kur këngëtarja ishte në moshën 12 vjeçare.

“Mamaja ime është gjithçka për mua. Kam përjetuar një periudhë të keqe tani që ajo ka qenë sëmurë. Shpresoj që të bëhet mirë. S’mundem ta mendoj jetën pa mamin. Ajo më ka rritur e vetme, babai im ka vdekur shumë i ri dhe ajo ka qenë edhe baba edhe nënë për mua. Unë jam shumë e lidhur me mamin dhe jam tip shumë i ndjeshëm. E çmoj shumë familjen dhe sidomos mamin, sepse jam nënë vetë. Por mami është duke u bërë mirë. I kam përballuar të gjitha vetë dhe prandaj ndihem kështu. Do Zoti të bëhet mirë”, tha këngëtarja.

Ndërkohë nëna e saj përmes një videomesazhi falenderoi të bijën për çdo gjë që ka bërë për të.

“Fjolla të përshëndes shumë. Unë e di që ti mendon shumë dhe që je në gjendje të bësh ç’mos për mua. Unë jam falenderuese për çdo gjë që ke bërë ti për mua. Fjolla të dua. Të uroj jetë të gjatë, lumturi dhe suksese”, tha nëna e këngëtares.

Marigona Lila – Blogger

Besart Xhaferi – Sipërmarrës

Deniza Miftari – Kryetare e të rinjve të Partisë së Gjelber

Historia e saj është frymëzuese për të gjithë të rinjtë, është një histori suksesi. Edhe pse është vetëm 23 vjeç, ajo ka fituar të drejtën për të qenë pjesë e Asamblesë në qytetin e Roeselares, në Belgjike, ku jeton prej 20 vitesh me familjen.

Bëhet fjalë për Deniza Miftarin, e cila është kryetare e të rinjve të Partisë së Gjelbër. Ajo ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, nga ku rrëfeu historinë e saj.

“Kam filluar shumë herët. Më kujtohet që informohesha për të drejtat e mia si fëmijë dhe nëse kishte të drejtë mami me babin të më qortonin. Ne kemi emigruar kur unë kam qenë 3 vjeç, për shkak të luftës në Kosovë. Fushata ka qenë intensive, në atë kohë humba edhe babain. Pasi bëmë varrimin e tij në Kosovë, të nesërmen kam patur mbledhje dhe më mungoi mbështetja e tij dhe shumë herë dyshoja se mund t’ia dilja. Por e pashë që dashuria e tij më dha forcë të vazhdoj. Tek partia jonë ishte e rëndësishme të takonim personat të cilët nuk votonin për ne dhe trokisnim në çdo derë dhe pyesnim qytetarët se çfarë do donin të ndryshonin. Pasi fitova u ndjeva e lehtësuar.

Babai ka qenë fansi im më i madh. Ai shpesh merrte kritika nga shqiptarë të tjerë të cilët i thonin të mos më lejonte vonë nëpër mbledhje apo evente. I thoshin se do të humbte kontrollin mbi mua. Por ai aty ku të tjerët shihnin rrezik, ai shihte mundësi. Jam shumë me fat për këtë dhe ia kam dedikuar të gjitha atij, sepse nëse prindi nuk të mbështet asgjë nuk mund të arrish”, tha Deniza Miftari.

Ajo u angazhua që në shkollë të mesme me politikë, edhe pse jo drejtpërdrejt në një parti. Ishte anëtare dhe më pas kryetare e Këshillit të Studentëve. Prej 3 vitesh, ajo është kryetare e bordit të studentëve të fakultetit, i cili është i përfaqësuar në 6 qytete të ndryshme.

Momentin që Deniza nuk e harron është kur babai i saj ndërroi jetë. Ai i la amanet që të shkonte të mbante seminarin rreth temës së refugjatëve.

Deniza ia dedikoi babait të saj këtë seminar dhe u shpreh: “Publik i dashur, në këto momente babai im ndërroi jetë. Ju lutem duartrokisni për jetën e tij shembullore”.