Reforma Zgjedhore është një nga çështjet kryesore politike që po diskutohet në Shqipëri. Për ta përfunduar atë është ngritur një Këshill Politik ku bëjnë pjesë mazhoranca, opozita parlamentare dhe opozita jashtëparlamentare.

Përfaqësuese e opozitës në Kuvend në atë Këshill është Rudina Hajdari, e cila këtë të mërkurë ishte e ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Hajdari u shpreh se ka në fokus të saj ndryshimin e sistemit zgjedhor. Për këtë arsye, ajo u shpreh se ka raport me çdo njeri që do ta ndryshojë sistemin.

Prandaj, ajo i bëri thirrje kreut të PD-së, Lulzim Basha, që të luftojnë sëbashku në Këshillin Politik për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe për listat e hapura.

Por pavarësisht se kreu i PD-së është shprehur në publik për lista të hapura, Hajdari tregoi se përfaqësuesi i saj në Këshillin Politik nuk e ka në axhendë këtë çështje.

“Kam raport me çdo njeri që do të ndryshojë sistemin zgjedhor. Në fakt sot e dëgjova Zotin Basha që tha jam pro listave të hapura. E ftoj Bashën që të vijë në atë tryezë dhe të luftojmë bashkarisht për ndryshimin e sistemit dhe listat e hapura sepse i shërben demokracisë. Një forcë politike si PD që është forca e parë që ka vendosur demokracinë në këtë vend atëherë duhet të jetë pro këtij ndryshimi sistemi. Pse sot PD nuk është pro ndryshimit të sistemit? Kam parë dhe kam ndjekur, kam qenë në Këshill Politik momentin që flitet për ndryshimin e sistemit, të treja palët ulin sytë dhe nuk flasin fare. Është e vetmja temë kur ata bien dakord me njëri-tjetrin”, tha Hajdari.

Këshilli Politik ka rënë dakord që ta përfundojë Reformën Zgjedhore më 31 Maj, por sipas Hajdarit kjo mund të shtyhet duke pasur parasysh edhe situatën e fundit politike.

Kujtojmë që opozita bojkotoi mbledhjen e fundit pas shembjes së Teatrit Kombëtar./tvklan.al