Rudina Hajdari, vajza e të ndjerit Azem Hajdsari, ka kujtuar babain e saj në këtë 23-vjetor të vrasjes së heroit të demokracisë.

Në një postim në Faceboook, Rudina Hajdari shkruan se në 30 vite të tranzicionit politik, Shqipëria nuk është ende aty ku duhet të ishte.

Rudina Hajdari komenton edhe zhvillimet e fundit politike, kur shkruan se “është për të qarë e për të qeshur” kur politikanë ankohen për mungesë demokracie brenda partive.

Postimi i plotë i Rudina Hajdarit:

Kur Azem Hajdari doli nga godina e PD mbremjen e 12 shtatorit 1998, ai nuk e dinte se nuk do të kthehej më. As nuk e dinte se do të linte mbas një boshllëk në zemrat tona, të familjarëve të tij por edhe në të gjithë historinë që pasoi më pas vendin.

Babi nuk ishte një njeri normal. Përgjatë rrugëtimit tim politik në Shqipëri e kam ndier prezencën e tij të fortë edhe mbas 23 vitesh. Në fshatra e mbanin mend si deputetin e tyre të parë dhe të fundit, njeriu i vetëm që ishte kujdesur të sillte ujë dhe infrastrukturë aty ku qeveria kishte shekuj që i kishte harruar. Në qytet e mbajnë mend si njeriun e njerëzve të thjeshtë që luftonte me burokracinë dhe padrejtësinë.

Azemi ishte luftarak, idealist, guximtar dhe ëndërrimtar. Veti këto të cilat nuk i kemi parë më në skenën politike shqiptare.

Ëndrra e tij ishte një Shqipëri e lirë dhe demokratike, ku njerëzit e ndërtojnë jetën e tyre me besim e pa frikë për të ardhmen e fëmijëve. Fatkeqësisht kjo ëndërr ende nuk është bërë realitet dhe sot dua të flas pak mbi arsyet përse kjo ka ndodhur.

Ata që e zvarritën vendin në rrugëtimin e tranzicionit pafund politik, me qëllim i sabotuan institucionet dhe mekanizmat demokratikë me synimin për ta vendosur shtetin në shërbim të interesave të tyre personale e familjare. Kështu për 30 vite, shteti, buxheti, pasuritë natyrore etj nuk i shërbyen miëqënies së përgjithshme por interesave të vetëm një grupimi i cili është pasuruar përtej cdo imagjinate, teksa shqiptarët ose janë varfëruar ose kanë emigruar ose ëndërrojnë të emigrojnë teska ndiejnë se s’kanë të ardhme në këtë vend.

Kur i sheh sot të ankohen për mungesë demokracie brenda partive të tyre, të vjen të qeshësh e të qash njëkohësisht. Të qeshësh sepse janë viktima perfekte të krijesave të tyre dhe të qash për nivelin e hipokrizisë që shfaqin.

Aq keq është dëmtuar shteti shqiptar nga ata që e drejtuan këto 30 vite, aq shumë i kanë shtrembëruar mekanizmat demokratikë, aq shumë i kanë vendosur në kontroll të gjitha burimet e vendit, saqë shoqëria e ka të pamundur sot të vetëkorrigjohet dhe u duhet patjetër ndihma e aleatëve si SHBA të cilëve u duhet të përdorin peshën e rëndë të reputacionit dhe mekanizmat e tyre penalizuese në betejën për të ndërtuar një shtet të vërtetë shqiptar.

Nëse partitë politike do të ishin ndërtuar me parimin demokratik dhe do të funksiononin si të tilla, debati në Shqipëri do të ishte shumë i shëndetshëm. Sot nuk do të flisnim për individë por për cështje. Nuk do të diskutonim për fatin e familjeve politike që kanë grabitur vendin për 30 vite por për fatin e familjeve të thjeshta shqiptare.

Për shembull sot në vend që të debatonim për nivelin e ushqimit që do i privohet një familjeje politike për shkak të një vendimi që SHBA ka marrë, debati duhet të shkonte drejt dëmit që i është bërë qindra mijëra familjeve në nevojë nga rritja e papritur dhe arbitrare e çmimit të bukës.

Kryeministri në vend që të mblidhte letrat e teatrit politik në parlament, duhet të mblidhte gjithë bizneset e miellit dhe të merrte masa që kjo të mos ndodhte ose të krijonte kushte rimburimi për ata që nuk e përballojnë dot.

E pra, si ky rast ka me mijëra. Në fakt 30 vite i kemi shpenzuar duke mos debatuar për vendin, për fëmijët, për rininë, për familjet shqiptare por vetëm e vetëm për fatin e 3-4 familjeve politike të cilat ia kanë dalë të ngrenë një sistem të mbyllur i cili nuk ka shumë diferencë nga sistemi monist për nga mënyra se si funksionin.

Nëse atëherë të internonin apo burgosnin kur nuk mendoje në linjën e partisë, sot të përjashtojnë dhe lincojnë publikisht.

Nëse atëherë të pushkatonin fizikisht, sot të pushkatojnë politiksh dhe ekonomikisht.

Shqipëria do të dalë nga kjo situatë kur shumica e shqiptarëve të kuptojnë se mirëqënia dhe zhvillimi nuk vijnë nga lideri i fortë por nga sistemi i drejtë dhe institucionet e forta të cilat garantojnë demokracinë, lirinë dhe barazinë. Kur të fillojnë të mos mbështesin më parti e individë sepse prej tyre varet ushqimi i ditës por të mbështesin vizionin për ndërtimin e një sistemi i cili tu garantojë mirëqënie gjithë jetën. Kur të vendosin të mos luftojnë më thjesht për mbijetesë por për të ndërtuar një të ardhme të sigurtë.

Drejtuesit venë e vijnë, sistemi dhe institucionet mbeten dhe i rezistojnë kohës.

Nëse Azemi do të ishte sot mes nesh, do të luftonte pikërisht për këtë. Në fakt energjia dhe kurajo e tij me siguri do ta kishin ndryshuar rrjedhën e historisë.

/tvklan.al