Rudina Hajdari ka rikujtuar gjatë emisionit “Opinion” momentet e fundit me babain e saj, Azem Hajdarin, pak orë përpara se të vritej mbrëmjen e 12 Shtatorit.

Deputetja opozitare ka treguar se takimi i fundit me të atin ka qenë në një lokal. Ajo rrëfeu se sëbashku me vëllain dhe të ëmën e prisnin në shtëpi pasi u kishte premtuar se do të kthehej për darkë kur morën vesh lajmin e rëndë.

“Siç u dokumentua kemi qenë në selinë e PD-së bashkë me familjen, me mamanë dhe vëllain, ndoshta një orë përpara se të ndodhte ngjarja. Kemi qenë në një lokal përballë selisë së PD-së ku kemi bërë një takim në një kafe dhe babi atë ditë ishte goxha euforik, shumë i lumtur, kishte dalë nga një miting në Fier dhe po tregonte ngjarjen mes nesh. Unë isha fare e vogël, por e mbaj mend entuziazmin e tij. E mbaj mend që e ndante me mamanë. Ishte gjithë kohës duke na përqafuar dhe duke e treguar si ngjarje. Ishte një moment familjar dhe i bukur. Kur u ndamë ai donte të shkonte në zyrë për të ndjekur lajmet. Unë iu bashkova atij dhe më mori hopa. Shkuam drejt zyrës së tij dhe patëm një moment si përplasje me policinë në ato momente dhe në retrospektivë e mbaj mend si ngjarje. Gjithsesi kur u ndamë, po e prisnim në shtëpi pasi premtoi që do vinte të hante darkë me ne. Po e prisnim në shtëpi. Ndoshta momenti kur ndodhi ka qenë një moment i vështirë në të gjithë Tiranën, çdo njeri e ka përjetuar në mënyra të ndryshme. Nuk ka njeri që nuk më ka thënë që çdo gjë ndaloi atë ditë. Për ne ishte një moment shumë i vështirë”. /tvklan.al