Deputetja e Partisë Demokratike Rudina Hajdari, e cila nuk dorëzoi mandatin, ka thënë gjatë fjalës së saj në seancën e sotme parlamentare se kasta politike nuk është shkëputur nga regjimi i para 30 viteve.

Ajo foli për protestën e studentëve, duke thënë se revolta e tyre u përça nga ndërhyrjet e të gjitha partive politike.

“Rinia tregoi vullnetin popullor kundër sistemit politik të instaluar prej 28 vitesh, sistem i cili nuk është shkëputur as sot  e kësaj dite nga regjimi i kaluar. Protesta e studentëve rrezikoi elitën politike ndaj të gjitha palët bënë ç’është e mundur për të përçarë kauzën e tyre. Dalja e studentëve në sheshet e Tiranës shkaktoi një metamorfozë politike. Të rinjtë dhe studentët folën qartë.

Ky model i vjetër politik që nuk do t’ja dijë për vlerat, moralin dhe jetën, duhet të marrë fund. Për 3 dekada me radhë kanë sjellë që ne mos ti ndahemi thirrjes “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Vrasjet në qendrat e qyteteve, abuzimi me fëmijët, largimoi në masë, janë bërë një epidemi shkatërruese për të gjithë vendin. Jam e bindur që kjo qeveri nuk do t’ja dijë më as për mbështetësit e saj”,

u shpreh deputetja demokrate Rudina Hajdari.

/tvklan.al