Të ftuar:

Irma Libohova – Këngëtare

Këngëtarja Irma Libohova është një ndër emrat që ka lënë gjurmë në historinë e muzikës shqiptare. Ajo mbart mbi supe një karrierë të gjatë, plot 47 vite dhe vazhdon ende të krijojë muzikë dhe të gjendet pranë publikut. “Gabimi i Mirelës” ishte kënga e parë e saj në vitin 1971 me të cilin do të shënonte suksesin e parë në muzikë. Irma do të vazhdonte më pas rrugën e artit me një repertor shumë të pasur me këngë, ku nuk mungojnë edhe çmimet në festivale të ndryshme.

E ftuar sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan këngëtarja tregoi më tepër për jetën e gjatë në skenë.

Gjatë emisionit ajo tha se ndihet e plotësuar artistikisht dhe se nuk ka asnjë pishman.

“Sapo jam kthyer nga një projekt në Gjermani, ku ishte i gjithë Ansambli. Për mua qe një rikthim si pjesëtare e Ansamblit. Kam përjetuar emocione të mrekullueshme në gjithë udhëtimin. Më është dukur si rikthim në kohë. Në 8 orë që kemi udhëtuar me autobus vetëm kemi kënduar.

Unë këndoj vazhdimisht dhe një nga sekretet që zëri të jetë në formë është të jetë në aktivitet. Në jetën profesionale ndihem e realizuar dhe nuk mendoj se më mungon gjë.

Kur i kalon të 50-tat njeriu bën një bilanc dhe unë besoj që në gjithë këtë rrugëtim të jetës private apo edhe atë publike, gabime kam bërë, por jo në raport me njërëzit. Gabimet po i personalizoj, kam bërë gabime në veshje, në mënyrën e përzgjedhjes së këngëve ndonjëherë, por në marrëdhënie njerëzore jo. Nuk e kthej kokën pas për të parë çfarë kam lënë mangut, besoj i kam bërë të gjitha dhe nëse vdes nuk kam asnjë pishman. Kam bërë gjërat e duhura. Ajo që ka ndryshuar është që jam bërë edhe më e butë, i shoh gjërat me shumë më shumë dashuri”, tha këngëtarja.

Genti Minga – Gazetar

Ai është një personazh i medias, i cili shpesh komentohet për idetë që lidhen me kauza sociale.

Interesante është forma me të cilën i sjell mesazhet e tij. Bëhet fjalë për Genti Mingen, i cili përdor modën për të tërhequr vëmendjen e publikut drejt problemeve që ndodhin në shoqëri.

I ftuar sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Minga rrëfeu më shumë për 5 projektet e tij të modës që mbartin mesazhe të forta sociale.

“Kur unë mbarova studimet për gazetari, presioni ishte që të punoja në tema politike dhe sociale, tema të cilat kishin peshë. Mirëpo unë refuzoja sepse shikoja që gazetarët aty ishin thjeshtë korrierë, nuk krijonin një gjë të tyren. Kjo nuk ishte një gjë që më sfidonte. Ndërsa në showbizz unë mund të luaja me titujt dhe mund të investohesha tek vetja. Por edhe kjo më dukej sipërfaqësore dhe doja diçka më të thellë. Dhe mendova për temat sociale të cilat gjithnjë prekin dhe janë të rëndësishme dhe industria e argëtimit tërheq shikueshmëri. Unë shfrytëzova natyrën argëtuese të artit, të medias, të modës dhe aftësinë që kanë ato për të sjellë shikueshmëri. Në koleksionin “Naked” është përdorur lëkurë, dru edhe bronx dhe gjërat janë bazike të thjeshta dhe të zhveshura. Koleksioni “The City Camouflage” ku fashion designer është qyteti dhe në këtë rast po natyra është artistja. Ideja është që kur t’i shikon një mur të shkatërruar e mendon si gjë të keqe, por është edhe gjë e mirë sepse ka krijuar një imazh interesant. “With Innocence On”, veshur me pafajësi është koleksioni me piktura të fëmijëve që nuk flasin dhe nuk dëgjojnë.

Tjetër projekt, frymëzuar nga vizatimet naive të fëmijëve është edhe JOY-elery që lind nga bashkimi i joy+jewellery, pra “bizhu të gëzueshme”. Projekti “Beautiful”, realizuar me fëmijë dhe të rinj albinë që janë vërtetë shumë të bukur, por që shpesh pamja e tyre bëhet shkak bullizmi në shkolla”, tregoi Minga.

Dr.Helidon Klosi – Kordinator i Departamentit të Gjinekologjisë/Spitali Hygeia

Kreston Kati – Obstetër-Gjinekolog/Spitali Hygeia