Të ftuar:

Iva Tiço – Gazetare

Enkel Demi – Gazetar/Moderator

Ata janë të dy gazetarë të mirënjohur, shumë të dashur për publikun por që i bashkon me njëri-tjerin jo vetëm profesioni, por edhe një pasion i përbashkët, ai i gatimit. Sot të ftuarit e parë këtë pasdite te “Rudina” në Tv Klan, ishin të ftuar Enkel Demi dhe Iva Tiço.

Ata gjithashtu kanë krijuar një blog ku publikojnë të gjitha recetat e tyre të gatimit.

Iva Tiço: “Nuk ka lidhje fare me profesionin tonë. Asnjëri nga ne nuk është kuzhinier, asnjëri nga ne nuk ka asnjë specialitet. Jemi njerëz që kemi qejf ushqimin dhe në përgjithësi atë që gatuajmë për vete, e bëjmë relativisht me qejf. Kemi menduar që ta ndajmë dhe me të tjerët. Gjithmonë kemi pasur kërkesa, sa herë postonim ndonjë foto na kërkonin recetat”.

Enkel Demi: “E kam pasur gjithmonë pasion gatimin, në fakt e kemi pasion të gjithë si shtëpi. Nuk është se bëjmë gjëra shumë të komplikuara, por kemi kuptuar të dy një gjë fare të thjeshtë, që njerëzit të cilët kanë dëshirë të gatuajnë, shkojnë shumë pas gjërave të thjeshta dhe recetave që kanë mundësi t’i aplikojnë”.

Të pyetur nga moderatorja e emisionit, Rudina Magjistari, se si lindi miqësia e tyre, Iva Tiço përgjigjet: “Në fakt dje u kujtova që unë kam disa momente të miat që i kam të lidhura me Kelin. Dalja ime e parë televizive ka qenë në Kombinat Show, ku isha e ftuar, kam qenë në atë kohë gazetare në revistën Klan. Disa vite më pas Keli drejtonte C’est la vie dhe aty filloi karriera ime si “juriste”, ku unë isha pjesë e jurisë”.

Monika Lubonja – Aktore

Njeriu gjatë jetës së tij përballet me sfida dhe momente nga më të ndryshmet, të cilat e vënë në provë. E tillë është edhe historia e një zonje Valentina Telhaj, me profesion psikologe, një grua 35-vjeçare nënë e dy fëmijëve.

Asaj i është dashur të luftojë fort për të qëndruar e lidhur me jetën, para një viti mësoi se vuante nga një sëmundje tumoriale. Por me shumë besim, me shumë forcë me shumë kurajo me shumë dashuri për jetën, ajo arriti të fitonte këtë betejë të vështirë.

Valentina Telhaj: Vendosa të shkoj për një vizitë gjinekologjike pa ndonjë shkak apo dhimbje konkrete, por thjesht sepse ndjeja një si fryerje te pjesa abdominale, por që nuk mendoja kurrë se mund të kisha diçka serioze. Më saktë ishte bashkëshorti ai që më shtyu, kështu që shkova. Dhe nga diçka rastësore u përballa me diçka tjetër krejt të papritur. Doktori në ato momente më pyeti “sa kohë ke pa kontroll”, 6 muaj, mbi 6 muaj u përgjigja me pak ndjenja faji. Ai tha që nuk janë vetëm 6 muaj pasi kjo masa që unë shoh nuk i përket një harku kohor prej 6 muajsh.

Sprova para së cilës na vendosin sëmundje të tilla është e madhe, secilit prej nesh në një situatë të tillë do i vinin mendime negative.

Valentina Telhaj: Njeriu në ato momente nuk mendon se mund të ketë diçka që të jetë kalimtare, mund të jetë diçka e thjeshtë apo që mund të kurohet, po në ato momente njeriu mendon më të keqen çuditërisht, shkon në ekstremin e tij më të përtejshëm dhe normalisht të lind pyetja në çfarë gjendje jam, sa kohë më ka mbetur?

Të qënurit nënë e dy fëmijëve e bën situatën edhe më të vështirë. Ndjeshmëria dhe përgjegjësia rriten dhe mendimet fokusohen vetëm te fati dhe jeta e fëmijëve.

Valentina Telhaj: Shumë gjëra më vinin në mendjen time. Po e para gjë që mendova sigurisht ishin fëmijët. Si do ta përjetojnë si do të shkojë situata. Edhe pse ata rrethohen nga shumë njerëz që i duan vendin e nënës nuk e zë askush.

Por si vendosi ta luftonte Valentina sëmundjen me të cilën fati e vuri përballë?

Valentina Telhaj: Pas disa ditësh u specifikua që ishte një masë tumoriale, nevojitej një ndërhyrje emergjente. Bëra një ndërhyrje me laparoskopi, normalisht u hoq masa pastaj pata kontrolle të herëpashershme, kontrolli i fundit që bëra ishte në fund të korrikut, ku edhe diçka që na shqetësonte dhe na mbante të varur u largua përfundimisht.

Sigurisht që ka shumë persona që më mbështesin, kam çunat kam bashkëshortin, prindër, vëllezër, motra, kam pafund njerëz që më rrethojnë por njeriu si fillim duhet të punojë me veten. Të menduarit dhe të vepruarit me sa më shumë pozitivitet mund ta lehtësojë situatën. Besoj shumë në Zot, mendoj se është përtej asaj që mund t’i japësh shpjegim, janë gjëra të mbinatyrshme.

U mbusha, qava me dënesë po nuk e lashë aty, u ngrita, dhe nuk e lejova asnjë minutë të jetës sime pa i dhënë motiv. E mbushja kohën time, bëjë gjithë gjërat që bëhen në jetën e përditshme, madje dhe më shumë pasi në nënvetëdijën time mendoja se koha ishte shumë e shkurtër.

Ecja, shëtisja, dilja në natyrë, sigurisht bisedat më motivuese i kisha me djemtë e mi. Më dukej një minutë i mbushur shumë me jetë.

Po pavarësisht të gjithave Valentina sot është mirë, e fortë, e bukur, i ka hedhur frikërat pas dhe është e gatshme të përballojë çdo lloj sfide në jetën e saj.

Tanja Porja – Sinoptikane

Jemi zyrtarisht në stinën e vjeshtës por temperaturat vazhdojnë të jenë të larta. Ndërsa koha vazhdon të jetë më e ngrohtë se ajo tipike për muajin Shtator. Në një lidhje direkte në emisionin “Rudina” në Tv Klan, sinoptikanja Tania Porja flet për parashikimet e motit.

Shtatori i vitit 2018 parashikoj që të jetë jo një shtator tipik i vjeshtës së klimës shqiptare, pasi siç e kemi parë edhe në këto ditë moti ka qenë tërësisht i kthjellët, ka pasur herë pas here vranësira, shirat kanë qenë fare pak prezentë, ndërkohë që temperaturat në fakt janë relativisht të larta edhe gjatë orëve të natës dhe të mëngjesit, por kryesisht në mesditë.

Këto ditë janë shënuar temperaturat maksimale, 32, 33, edhe 34. Është një periudhë shumë komode për të gjithë ata që nuk janë ngopur me plazhin gjatë stinës së verës, mund ta vijojnë gjatë gjithë muajit Shtator.

Shtatori do të vazhdojë të jetë i nxehtë, por si parashikohet Tetori dhe Nëntori?

Ka pasur një aktivizim të fenomenit El nino në Gusht, gjë që ka bërë që Shtatori të jetë 4-5 gradë më i nxehtë se normalja. Dhe me një siguri mbi 80% pritet që edhe muaji Tetor-Nëntori duke përfshirë edhe muajin e fundit të vitit Dhjetori, parashikoj që të jenë më të ngrohtë sesa normalja. Deri në datën 20 Shtator nuk ka mundësi për shira në të gjithë territorin shqiptar, të shpresojmë pas datës 20.