Të ftuar:

Jeta Faqolli – Këngëtare

Ajo është një këngëtare e njohur në skenat shqiptare. Përgjatë karrierës së saj 17-vjeçare, Jeta Faqolli ka ardhur tek publiku me këngë të cilat janë pëlqyer.

Prej dy vitesh këngëtarja i ka munguar tregut muzikor, por së fundmi është rikthyer me një bashkëpunim me këngëtarin Kastro Zizo. Sot Jeta Faqolli ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ku rrëfeu karrierën e saj muzikore. Këngëtarja tha se fillimet për të kanë qenë të vështira pasi prindërit nuk e kanë mbështetur lidhur me muzikën.

“Që e vogël kam bërë mësime për instrumentin e mandolinës. Kam bërë dhe disa aktivitete, por shumë pak sepse prindërit e mi ishin shumë fanatikë dhe nuk më lejonin. Pas shkollës 8-vjeçare edhe ditëlindjet i kam patur të ndaluara, kam qenë shumë e mbyllur. Kam patur shumë ëndrra dhe i kam nisur me shumë vonesë kur kam ardhur në Tiranë dhe di unë ç’kam hequr derisa mora në dorë timonin e jetës time. Edhe prindërit më vonë e panë që nuk kishte asgjë të keqe të merreshe me muzikë. Kanë qenë vite të vështira për vajzat në atë kohë sepse kishte shumë rrëmbime, ndërkohë prindërit e mi kishin vetëm 4 vajza dhe nuk dinin si t’na mbronin.

Vite më vonë unë i kam kritikuar, megjithatë ky ka qenë fati im. Më kanë ngelur shumë gjëra të parealizuara, tani është shumë vonë, por të paktën kam arritur diçka tjetër. Prindërit e mi janë indiferentë për muzikën time, nuk janë bashkëpunues. Çelësi i suksesit është mbështetja familjare, gjë që unë nuk e kam patur. Pavarësisht se nuk e shprehin, prindërit tani besoj janë shumë të kënaqur sepse unë jam ajo që mbaj familjen. Kam bërë shumë gjëra dhe kam ndërtuar karrierën time me forcat e mia. Tani gjërat kanë ndryshuar dhe unë jam shumë e qetë”, tha Faqolli.

Lamberto Shtjefini – Bloger mode

Ai mund të jetë blogeri i parë shqiptar i modës që kërkon të insipirojë meshkujt shqiptarë në mënyrën se si duhet të vishen.

Ndonëse ka studiuar për Drejtësi, Lamberto Shtjefni e ka kthyer pasionin e tij për modën në një punë të mirëfilltë nga e cila përfiton të ardhura.

Për më tepër ai përfiton udhëtime dhe veshje falas sepse bashkëpunon me 50 firma të huaja.

I ftuar sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Shtjefni rrëfeu se si lindi ideja për të hapur një blog mode.

“E kam nisur këtë profesion përpara gati 4 vitesh, fillimisht me Instagramin, mora informacione nga jashtë dhe fola edhe me disa shokë që merreshin për këtë punë dhe thashë përse të mos e filloj edhe unë. Kisha pasion për modën dhe vishesha bukur. Të jesh një boger është shumë impenjuese, unë kam një punë me kohë të plotë dhe këtë e ushtroj kryesisht gjatë fundjavës.

Synimi im është që ta kthej në një punë me kohë të plotë. Brendet me të cilat unë punoj janë shqiptare dhe të huaja. Unë punoj me shumë firma që nuk paguajnë, por më pëlqen produkti i tyre dhe pranoj. Ka edhe firma që paguajnë, por është thjeshtë një pagesë vlerësimi për punën që ti bën. Duhet të kesh mbi 10 vite që merresh me këtë punë që të bëhesh një bloger i pasur besoj”, tha Shtjefni.

Adelina Emini – Këngëtare / Moderatore