Të ftuar:

Anjola Hamzaj – Spikere lajmesh në Tv Klan

Brikena Prifti – Spikere lajmesh në Tv Klan

Enita Mema – Spikere lajmesh ne Klan Plus

Oljana Maloku – Spikere lajmesh ne Klan Plus

I shohim çdo ditë në ekran, duke dhënë me profesionalizëm të rejat më të fundit. Por sot spikeret e Tv Klan dhe Klan Plus Anjola Hamzaj, Brikena Prifti, Enita Mema dhe Oljana Maloku ishin të ftuara në emisionin “Rudina” për të folur për jetën jashtë ekranit.

Oljana Maloku prej 22 muajsh është nënë e një djali të quajtur Anuar. Ajo tregon se i mungon shumë gjatë ditës djali, por ndihet mirë që ai është përshtatur me dadon që kujdeset për të.

“Unë kam një djalë që është 22 muajsh, ende shumë i vogël. Erdhi në momentin më të bukur, e prisja dhe ka ndryshuar jetën time. Gjashtë muajsh e gjysmë e kam lënë dhe kam rifilluar punën. Janë afro 10 orë që unë rri pa djalin. Puna, rruga, mbase ndonjë takim pas pune. Tani ai po lidhet edhe më shumë me mua dhe ndonjë fjalë që mund të më thotë më fiksohet gjatë gjithë ditës, por e tillë është jeta dhe ana profesionale duhet. Më mungon, por më vjen mirë që është përshtatur me dadon dhe ndonjëherë mëngjeseve thërret atë dhe jo mua. Më vjen keq, por jam edhe e lumtur që ai ndihet mirë gjatë ditës me të”, tha Maloku.

Ndërkohë Enita Mema rrëfeu se këtë vit për të është risi fakti që djali i saj Daniel ka nisur parashkollorin dhe kjo ka qenë sfidë edhe për të.

“Danieli është tashmë 5 vjeç e gjysmë, e reja e këtij viti është se është futur në parashkollor dhe ishte një sfidë e re. Ishte fëmijë që ishte mësuar me kapriço, por është i kënaqur. Është shumë e vështirë të bësh ndarjen mes punës dhe familjes. Fëmija kërkon gjithmonë kohën e vet dhe nuk ngopet asnjëherë me nënën. Por nëse ka një bashkëpunim me babain, ai kalon gjysmën e kohës me të dhe gjysmën tjetër me nënën. Por nuk duhet harruar edhe ndihma e prindërve tanë që është e jashtëzakonshme. Vetëm do të ishte lodhje shumë e madhe. Në jetën e përditshme unë jam shumë sportive, me xhinse dhe atlete. S’kam lidhje me xhaketat”, tregoi.

Spikerja e re e Tv Klan Brikena Prifti tha se edhe jashtë punës pëlqen të vishet me këmisha dhe xhaketa. Ndërkohë fundjavat parapëlqen t’i ketë sportive.

“Unë kam vetëm dy vite që kam mbaruar studimet dhe ka qenë ndjesi shumë e mirë kur mora ofertën për të qenë në Klan. Përgjithësisht unë jam natyrë formale. Më kanë pëlqyer gjithmonë këmishat dhe i kam veshur që e vogël. Më pëlqejnë shumë edhe xhaketat, i vesh edhe jashtë studios së lajmeve. Fundjavat më pëlqejnë të jem sportive dhe patjetër kam edhe veshje sportive në garderobën time”, tha Prifti.

Prej rreth dy vitesh tashmë ajo është imazhi i edicionit informativ të orës 15:30 në Tv Klan. Bëhet fjalë për spikeren Anjola Hamzaj, e cila çdo ditë jep me profesionalizëm të rejat më të fundit nga vendi, por edhe bota.

Ndonëse ka përfunduar studimet për Gjuhë-Letërsi, dëshira për të qenë pjesë e lajmeve nuk ka ardhur në mënyrë rastësore, përkundrazi ka qenë një nga qëllimet e Anjolës.

Por sot, e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, përveç rrugëtimit në televizion ajo ndau me të gjithë lajmin e bukur se është në pritje të ëmbël.

“Është hera e parë për mua. Jam në muajin e pestë, ndihem shumë mirë tani. Tre muajt e parë kam patur ato simptomat e zakonshme. Tani jam më e qetë, por psikologjikisht jam në fazën që mbledh informacion, lexoj gjithë kohën, më duket sikur bëhesh edhe paranojake. Nëse më parë nuk doja t’ia dija kur bëhej një bisedë shtatzënie, tani jam shumë e vëmendshme, dëgjoj gjithë “sy e veshë”, madje edhe pyes. Kam nisur fazën kur thuhet se shijohet shtatzënia”, tha spikerja.

Gjatë emisionit, Anjola po ashtu zbuloi se pret binjakë, një djalë dhe një vajzë.

“Pres binjakë, një djalë dhe një vajzë. Të gjithë kur e marrin lajmin janë shumë të lumtur, por unë në fillim kur mora lajmin e përjetova me shumë traumë. Sepse unë edhe vetë jam binjake me motër dhe jam rritur me mamanë time që më thoshte: Ç’kam hequr unë me ju të dyja. Më ishte ngulitur në kokë që është shumë e vështirë dhe nuk doja. Por e kalova, tani po shijoj anët pozitive. Nuk kam nisur ende përgatitjet, jam në fazën që nuk di asgjë”, rrëfeu me emocion spikerja Anjola Hamzaj.

Sindi Tona – Vajza e këngëtares Manjola Nallbani

Ajo është vetëm 14 vjeç dhe sapo ka botuar librin e saj të dytë.

Kësaj radhe në gjininë e romanit, me titull ‘Njësoj të ndryshëm’, Sindi Tona, vajza e këngëtares së njohur Manjola Nallbani sjell për lexuesin një histori mjaft të veçantë dashurie, mes  dy gjimnazistëve, përkatësisht një vajze të bardhë dhe një djali me ngjyrë. Një histori që tejkalon dhe thyen çdo barrierë dhe paragjykim. E ftuar sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan ajo tregoi detaje rreth librit të saj, por edhe marrëdhënien e ngushtë që ka me nënën.

Ajo po ashtu mori edhe një videomesazh surprizë nga Manjola Nallbani, e cila tha publikisht se është krenare për vajzën e saj.

“O jeta e mamit. Ti e di që që në momentin që ke lindur unë të them ti je dhuratë e Perëndisë. Njëlloj kam edhe Megin, por sot është dita jote, momenti jot. Babi dhe Megi ndryshe nga ne të dyja nuk i duan kamerat dhe janë diskretë, më kanë autorizuar mua të të them që ti për ne je diell dhe të duam shumë. Nëse ti sot po shkruan kjo është shumë e vlefshme për mendjen dhe shpirtin tënd. Është diçka që pak nga brezi jot e bëjnë. Për mua nuk ka asnjë rëndësi profesioni që ti do të zgjedhësh. Unë dua që ti të bësh atë që të bën të lumtur. Dua të mbetesh po e njëjta Sindi. Nëse do të më pyesnin si e do vajzën, më mirë se kaq nuk do ta kisha kërkuar”, tha këngëtarja.

Fjalët e Nallbanit përlotën Sindin e cila tha se nuk i priste fjalët që nëna e saj i dedikoi.

Sonfjana Buhaljoti – Manaxhiere Marketingu në Pajtoni Center