Të ftuar:

Altin Veshti – Kardiokirurg/Pedagog në Universitetin e Mjeksisë

Ana Lucia Ramazzini – Pastiçiere/Sipërmarrëse “Pastelitos cake boutique”

Ai është një ndër kardiokirugët më të suksesshëm shqiptarë, i cili i ka kushtuar jetën dhe profesionin fëmijëve. Historia e tij është mjaft frymëzuese dhe e bukur. Por sot, Altin Veshti ishte i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan sëbashku me bashkëshorten e tij, Ana Lucia Ramazzini për të rrëfyer historinë e dashurisë.

Gjatë emisionit, ai tregoi detaje interesante nga lidhja me Ana Lucian dhe tha se pas një muaji lidhje ajo i kishte kërkuar Altinit që të takonte prindërit e saj. Duke marrë shkas nga traditat shqiptare mjeku tregon se në fillim ishte frikësuar, sepse kishte menduar se do t’i kërkonin të fejoheshin, por më pas kuptoi se ata thjeshtë donin të dinin me kë shoqërohej vajza e tyre.

“Njohja jonë ka qenë rastësore. Unë kam jetuar shumë vite në Itali dhe nga Italia shkova në Guatemala për të bërë një specializim më të organizuar në defektet e lindura të zemrës me babain e kardiokirugjisë pediatrike në botë. Pas një viti që punoja në Guatemala njoha rastësisht Ana Lucian në një restorant. Unë kisha ditëlindjen atë ditë dhe ajo po vinte me një shoqe të pinte kafe. Isha unë që e bëra hapin e parë dhe i fola sepse më mori mendjen të them të vërtetën. Më pas erdhi bëri një vizitë në spital, aty ku unë punoja. Kështu vazhdoi lidhja jonë derisa njoha edhe familjarët. Të them të drejtën pas një muaji pasi e njihja Ana Lucia më kërkoi që të takoja prindërit e saj, gjë që më frikësoi shumë se ne me mentalitetin e shqiptarit…, thashë po më fejojnë brenda muajit. Por ishte tjetër mentalitet, ata duan thjeshtë të njohin me kë del vajza dhe gjithçka më pas e vendosnim ne, jo ata. Pasi mbarova trajnimin, Ana Lucia më ndoqi në Amerikë, në Itali dhe më pas në Shqipëri”, tregoi mjeku.

Ndërkohë bashkëshortja e tij tha se fillimet e saj në Shqipëri ishin të vështira, por tashmë gjërat për të kanë ndryshuar.

“Kur erdha në Shqipëri ishte e vështirë për mua, sepse nuk kisha çfarë të bëja. Nisa të kërkoj diçka për të bërë dhe avash avash gjërat u bënë mirë”, tha Ana Lucia.

Përgjatë këtyre viteve kanë qenë të shumta rastet e ndërhyrjeve në zemër, që doktor Altin Veshti ka kryer veçanërisht te fëmijët, madje edhe tek të porsalindurit. Pikërisht 8 vite më parë në programin drejtuar nga Rudina Magjistari është trajtuar historia e një çifti, të cilët sapo ishin bërë prindër, por që u përballën me lajmin e vështirë se vajza e tyre e sapolindur kishte probleme të mëdha në zemër.

Doktor Altini sëbashku me ekipin e mjekëve të specializuar kryen për herë të parë në Shqipëri ndërhyrjen në zemër tek një bebe 9-ditëshe. Një operacion, i cili rezultoi me sukses dhe arritën të korrigjojnë problemin në zemër të vogëlushes. Në shenjë mirënjohje, por edhe falenderimi për doktorin, i cili kishte humbur një motër me të njëjtën epikrizë, çifti vendosi ta quajë vajzën Arjeta.

Sot pas rreth 8 vitesh, Arjeta përmes një mesazhi ekskluziv në emisionin “Rudina”, falenderoi doktor Altinin.

“Përshëndetje të gjithëve, unë jam Arjeta, jam 8 vjeç. Kam bërë një operacion në zemër, por tani vazhdoj jetën shumë mirë. Falenderoj doktor Altin Veshtin”, tha në videomesazh Arjeta.

Pas videomesazhit mjeku tha se falë asaj ndërhyrje Arjeta vazhdon normalisht jetën. “Falë atij operacioni i kemi dhënë jetën një fëmije që sot nuk do të ishte”, tha mjeku.

Tirana gati per festat e fundvitit!

Stivi Canka – Student ne Degen e Farmacise