Të ftuar:

Shyhrete Behluli – Këngëtare

Engjellushe Behluli(Salihu) – Këngëtare

Ajo ka një karrierë 44-vjeçare në muzikë dhe është një nga emrat më të dashur në gëzimet familjare në Kosovë, por edhe në diasporë.

Vitet e fundit, duket se punës dhe pasionit të Shyhrete Behlulit i është bashkuar edhe e bija Engjëllushe Behluli.

Ato ishin sot të ftuara në studion e “Rudina” në Tv Klan për të treguar jo vetëm për bashkëpunimin me njëra-tjetrën, por edhe për marrëdhënien e tyre nënë e bijë.

“Të këndoja me vajzën time ishte kënaqësi dhe përgjegjësi shumë e madhe. Nuk mendon vetëm për veten. Kur jemi bashkë në skenë unë harroj veten duke parë Engjëllushen. Është kënaqësi.

Unë kam 44 vite karrierë, 30 albume solo dhe 15 bashkëpunime me artistë të tjerë. Një jetë e tërë dedikuar muzikës dhe nuk e mendoj fundin e karrierës”, tha Shyhrete Behluli.

E pyetur se përse vendosi të këndojë, Engjëllushja tha se fillimisht i propozoi nënës së saj të bëjnë një bashkëpunim për kujtim, por më pas filloi t’i pëlqente.

“Gjithmonë e kam patur si pjesë timen muzikën, që e vogël. Thjeshtë erdhi momenti dhe unë e provova. Unë kam patur edhe një këngë tjetër solo, e kam bërë për qejf. Më vonë i thashë mamit se doja që të kisha një duet me të si kujtim. E bëmë këngën e parë dhe të dytën dhe filloi të më pëlqente dhe nuk u ndala më. Fakti që mami merret me muzikë më ka ndihmuar shumë. Në fillim kjo të jep avantazh, por është edhe përgjegjësi sepse më krahasojnë shepesh me mamanë”, tha Engjëllushe Behluli.

Isida Mollaymeri – Balerine

Vitet e fundit pozat e nxehta të njohura si nudo apo topless janë më të kërkuarat dhe më të klikuarat. Mjafton një pozë e zhveshur për të thyer internetin dhe për të tërhequr vëmendje maksimale. Prej vitesh edhe në Shqipëri janë të shumta vajzat që tregojnë guximin dhe ekstravagancën e tyre duke pozuar edhe pa rroba.

Së fundmi edhe balerina e talentuar Isida Mollaymeri ka guxuar si kurrë më parë përpara aparatit fotografik. Vetëm pak ditë më parë ajo publikoi në rrjetet sociale një foto toples, e cila në fakt nuk i shpëtoi vëmendjes së portaleve. E ftuar sot në studion e “Rudina” në Tv Klan, Isida Mollaymeri tha se është hera e parë për të që pozon topless dhe se ka patur shumë reagime lidhur për to.

“Unë nuk kam postuar foto të tilla asnjëherë. Njeriu i parë që e komentoi foton ishte mikesha ime Agnesa Vuthaj, më pas ka qenë mamaja ime e cila më tha: Po ti ç’ne?

Fotografja Fioralba insistoi që unë t’i bëja këto foto sepse kisha muskulaturë shumë të bukur. Pra nuk dilte një foto toples e rëndomtë dhe vendosa të bëj një set. Seti fotografik është bërë në Kosovë dhe kur e provova m’u duk shumë, e ekzagjeruar. Ne jetojmë në Shqipëri dhe duke jetuar këtu duhet të përshtatemi.

Sado që njerëzit bëjnë si mendjehapur, unë mendoj se jemi akoma vite dritë jetë larg njerëzve që jetojnë jetën e tyre. Vendosa t’i publikoj këto foto se nuk mu dukën ndonjë gjë kushedi se çfarë. Ndoshta në skenë kemi qenë edhe më të zhveshur se kaq. Për të bërë foto të tilla duhet shumë kurajo. Mua më vjen keq që kur nxjerr fotot e baletit nuk marr aq shumë pëlqime krahasuar me këto foto”, tha Isida Mollaymeri.

Edera Alibegaj – Drejtore e Sportit në Bashkinë e Tiranës

Lazim Latifi – I cili është për të dytin vit pjesë e Maratonës.

Maratona e Tiranës do të rikthehet më datë 7 Tetor 2018 në edicionin e saj të tretë. Me një pjesëmarrje prej 2500 garuesish të moshave të ndryshme dhe nga 40 vende të ndryshme të botës, ky event mund të cilësohet si eventi më i madh i kryeqytetit dhe jo vetëm. Rritja e numrit të pjesëmarrësve ndër vite është një tregues i mirë se Martaona është bërë e dashur për qytetarët shqiptarë edhe më gjërë.

Edicioni i tretë i cili tashmë po kthehet në traditë, organizohet me aprovimin e dy itenerareve të rinj nga Federata Botërore e Atletikës duke i dhënë seriozitetin e një aktiviteti ndërkombëtar. Ndryshe nga një vit më parë, Maratona do të jetë krejtësisht urbane dhe do të përshkruajë rrugët kryesore të qytetit me një itenerar që përfshin pikat më atraktive të qytetit duke e kthyer këtë garë jo vetëm në sfidë, por edhe në argëtim.

Edera Alibegaj, drejtore e Sportit në Bashkinë e Tiranës dhe Lazim Latifi, i cili është për të dytin vit pjesë e Maratonës, ishin të ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan nga ku dhanë më tepër detaje lidhur me edicionin e tretë të Maratonës së Tiranës.

“Këtë edicion e kemi caktuar në javën e parë të muajit Tetor, më datën 7. Regjistrimet për këtë edicion do të vazhdojnë deri më 30 Shtator në mesnatë, por për efektin e stërvitshmërisë unë do thoja është pak vonë. Pjesëmarrësit janë ndarë në tre grupe: ato që janë sportistë dhe shkojnë nëpër gara, ata që garojnë individualisht, por edhe grupi masiv që marrin pjesë për kënaqësi. Gara do të fillojë te sheshi “Nënë Tereza” më pas do të kalojmë në pjesën e Liqenit. Half Marathonë do të jetë 10 Euro, Tirana 10K do të jetë 5 Euro dhe ‘we too’ do të jetë falas. Fituesi do të marrë padiskutim një çmim që do të jenë vlera monetare. Çmimi i parë 2500 Euro, i dyti 1500 Euro dhe i treti 1000 Euro”, tha Edera Alibegaj, drejtore e Sportit në Bashkinë e Tiranës.