Të ftuar:

Linda Phillips – Autore e librit “Bukur këtu”

Shkrimtarja amerikane tregon si humbi të birin nga depresioni

Një libër që buron nga thellësia mbytëse e vetëvrasjes së djalit të saj. Një rrëfim prekës i eksperiencës më të dhimbshme të një nëne. “Bukur këtu” është libri i amerikanes Linda Phillips e cila tregon se çdo të thotë të përballosh një humbje të tmerrshme. Një rrëfim i prekshëm i eksperiencës më të dhimbshme të jetës, Phillips jep një përshkrim të pasojave të vetëvrasjes në familjen e saj, por edhe procesin që e ndihmojë të rifitojë vetveten. Në këtë libër ajo tregon se si ndoqi dritën dhe gjeti paqen pasi doli nga errësira e humbjes së djalit ditën e Falenderimeve. Në këtë ditë djali i saj 22-vjeçar, Nuçi Phillips vendosi t’i japë fund jetës pas një lufte me depresionin e rëndë. Pas humbjes së djalit Phillips u bë pjesë e një kauze mjaft të rëndësishme për t’i dhënë të rinjve dashurinë dhe mbështetjen dhe krijoi hapsirën “Nuçi” në kujtim dhe respekt të djalit të saj. “Nuçi space” është një vend ku mund të kërkosh këshilla për të trajtuar shëndetin mendor, është një katalizator që i ka shpëtuar jetën shumë të rinjve. E ftuar në studion e “Rudina” shkrimtarja

“Në libër unë flas për një ëndërr që kam parë për djalin, Nuçin. Disa javë pas vdekjes së tij unë, bashkëshorti dhe djali tjetër në ënërr po shkonim në Klaiforni dhe Nuçi ishte mbështetur në krahët e mi, më pa dhe më tha: Nënë e di nuk duhet ta kisha bërë këtë gjë. Në atë moment i them nëse ti do të ktheheshe… Dhe ai më kthehet: Jo, është bukur këtu. Ishte qetësuese ta titulloja kështu këtë libër.

Pas vdekjes së Nuçit ne në vend që të rrinim dhe të mos bënim asgjë, kemi ngritur një fondacion në emrin e tij dhe kuptova diçka. Ne nuk i stigmatizojmë njerëzit me kancer, atëherë përse duhet të stigmatizojmë njerëzit me sëmundje mendore?

Dje kuptova se ky qenka libri i parë i këtij lloji që është botuar në Shqipëri”, tha shkrimtarja.

Gjatë emisionit ajo tregoi më tepër për të birin Nuçi, për të cilin tha se ishte fëmijë tejet i ndjeshëm dhe përjetonte çdo gjë.

“Nuçi ishte fëmijë shumë i ndjeshëm, shumë perceptues dhe donte të përjetonte çdo gjë. Filloi të lexonte që 3 vjeç dhe kur ishte 5 vjeç lexoi në një gazetë që një grup në Atlanta kërkonte pjesëtarë dhe ai donte të shkonte. Ne nuk e dinim që ai këndonte, ai bëri prova dhe e morën. Pas pak kohësh ai mori edhe një çmim. Në shkollë ka qenë shumë i mirë, ka qenë fëmijë i përsosur. Në moshën 16-vjeçare vumë re që ai filloi të tërhiqej, ishte diçka që na ra në sy. Fillimisht menduam se ishte normale për një adoleshent. Donim të mernim ndihmë, por ai nuk donte. Në fakt unë jam infermiere dhe kam informacion edhe në psikiatri. Por nuk na shkoi mendja tek depresioni, na u duk thjeshtë një lloj ankthi adoleshëntësh. Ai u bë gjithnjë edhe me keq vendosëm ta vizitojmë diku pas një tentative të tij për vetëvrasje. E shtruam në spital dhepunoi shumë që të ndihej më mirë. Kur je në depresion imazhet të shtrembërohen, në mendje ke një lloj filtri të “pisët”. Për katër vite me radhë ai ishte me ulje-ngritje. Në vitin e dytë të kolegjit ai gjeti një armë, por ne nuk ishim në dijeni, e mësuam pas vetëvrasjes së tij. Në natë përpara natës së falenderimeve, ishte ora 6 dhe nuk kishte ardhur, ishte e pazakontë. E morëm në telefon, por nuk morëm përgjigje. Të nesërmen morëm në telefon një nga miqtë e tij dhe ai na tha se nuk e kishte parë. Dhe ne u nisëm dhe takuam mikun e tij dhe bashkë me të shkuam në shtëpinë ku ai qëndronte dhe aty e gjetëm Nuçin”, tregoi Phillips.

Arjana Rreli – Psikiatre

Shumë prej nesh i njohim simptomat e depresionit. Por, ndoshta ju nuk e dini se depresioni mund të shoqërohet me shumë simptoma të tjera fizike.

Në fakt, shumë njerëz vuajnë nga dhimbjet kronike e deri te simptomat fizike. Dhe për të folur pikërisht për depresionin ishte e ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, psikiatrja Arjana Rreli. Gjatë emisionit ajo foli gjatë për shenjat e depresionit dhe tha se për ta kuruar atë fillimisht duhet ta pranojmë.

“Ndryshimet e para lidhen gjithnjë me ankthin. Ai nis si armik i brendshëm i heshtur që mund të vihen re nga vetë personi, por edhe familjarët. Ndryshimet e ritmit të gjumit, por edhe cilësia e tij është një nga shenjat. Ndryshimet e oreksit, janë një tjetër simptomë. Rritet ritmi i frymëmarrjes, rrahjet të zemrës. Dhimbja e kokës është një simptomë e shpeshtë. Mpirja dhe lodhja kronike gjithashtu, por gjithmonë sinjali është se sa kjo ndërhyn në cilësinë tonë të jetës duke na e prishur atë.

Që të fillosh të flasësh për problemin do të thotë që ke nisur ta pranosh atë. Duhet të pranojmë që truri është organi më i sulmuar. Jetojmë në një kohë që ka problemet e veta lidhur me jetën sedentare, mënyrën si ushqehemi, ndotja e ajrit, por nëse ulemi në një kafene fjala e parë që dëgjojmë është: O sa e stresuar jam sot. Në kafene këto probleme fliten shumë herë më shumë se sa në vende ku do të ndikonte për ndërgjegjësimin e kësaj mase të popullsisë. Në Shqipëri ne e shikojmë çdo ditë dhe më tepër që nga fluksi që kemi që numri i këtyre personave është çdo ditë në rritje, por edhe ndërgjegjësimi është rritur. Por është e pashmangshme që edhe problemet janë rritur. Grupmosha më e prekur është ajo aktive 20-45 vjeç. Ky është piku i grafikut ku shfaqen probleme të shëndetit mendor. Vitet e fundit depresioni po prek edhe adoleshentët”, tha psikiatrja.

Aldo Mehmeti – Shef Kuzhine