Të ftuar:

Lindita Theodhori – Këngëtare

Lindita Theodhori është një nga zërat që ka mbetur në memorien e publikut shqiptar. Ajo ishte sot e ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan për të promovuar klipin e saj më të ri dhe jo vetëm. Gjatë emisionit, ajo tregoi edhe për jetën private.

Këngëtarja rrëfeu se njohja me bashkëshortin e saj Thimaq Theodhori ka qenë një moment sa i bukur edhe i trishtë pasi në atë periudhë ajo kishte humbur nënën e saj.

“Njohja jonë ka qenë shumë e natyrshme. Unë kam qenë nxënëse në “Liceun Artistik” dhe Maqi ishte inxhinier Ndërtimi dhe flinte në “Qytetin Studenti”. Vazhdimisht shkëmbeheshim tek “Rruga e Elbasanit” por në heshtje. Pastaj kur unë shkova në Institut, shkuam në metalurgji dhe aty jam njohur me Maqon i cili ishte kryeinxhinier. U lidhëm dhe nuk u zgjidhëm më. Ai moment për mua ka qenë sa i bukur edhe i trishtë. Më 28 Nëntor të ’75 ne kishim vendosur të fejoheshim por në 3 nëntor nëna ime ndërroi jetë. Unë i kujtoj shumë mirë ato momente dhe duhet të ishte Maqo pas meje që unë ta kaloja sa më lehtë atë trishtim.

Ajo i ka meritur plotësisht dy titujt “Mjeshtre e madhe e skenës” dhe “Artiste e Merituar” që i janë akorduar dhe duket se nuk do të heqë dorë nga pasioni i saj, që padyshim është kënga.

Pas një shkëputje të gjatë, këngëtarja Lindita Theodhori ka prezantuar klipin e saj më të ri “Lamtumirë”. Por ndryshe nga ajo ç’ka “thotë” titulli, Theodhori tregoi se ka të bëjë me rikthimin e saj në muzikë dhe se përmes kësaj kënge i thotë lamtumirë pauzës.

“Nuk kam punuar kurrë që të merrja tituj. Por publiku më pret dhe duke kënaqur ata, kënaqem edhe unë njëkohësisht. Projekti im i ri nisi me dëshirën e madhe për t’u rikthyer sërish në skenë. Këngën unë e kam bërë në Greqi me shumë dashuri. Titulli i këngës “Lamtumirë” është vënë për t’i thënë lamtumirë heshtjes dhe pauzës. Komentet që kam lexuar pas publikimit të këngës kanë qenë shumë prekëse dhe ata që më ndjekin unë nuk i quaj thjeshtë fansa, por miq”, tha Theodhori.

Viola Gjylbegaj – Pedagoge e Shkencave të Komunikimit në Abu Dhabi