Situata e krijuar nga tërmeti vazhdon të shqetësojë çdo shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Në programin “Rudina” ka qenë e ftuar Grida Duma, e cila tregon se vihet re një mungesë në mirëmenaxhim dhe mirëkoordinim të kapaciteteve. Sipas saj grupet e punës duhet të jenë më shumë të pranishme në terren.

Nëse është bërë ndonjë kritikë nuk ka qenë politike, as opozitare sepse katastrofa është kombëtare. Dhe besoj se për këto dy a tre ditë, qëndrimi për mos dalë qëndrim palësh është qëndrimi i duhur, pa asnjë dyshim. Një palë qytetarësh kanë besim ndoshta tek qeveria dhe gjëja më e mirë është të kesh besim në këto momente dhe duhet pasur besim. Ka disa të tjerë që kanë solidaritet dhe çojnë financim tek Marin Mema, ose tek dikush tjetër. Unë mendoj gjithashtu që Partia Demokratike mund të jetë një strukturë paralele, nuk ka nevojë të jetë një strukturë e bashkuar, ky është qëndrimi im. Që do të thotë patjetër që qeveria nuk besoj se ka mungesë në kapacitete humane, por ajo që unë shikoj si mungesë në këto momente është një mirëmenaxhim dhe një mirëkoordinim të kapaciteteve“.

Më tej Grida shton: Unë kam dalë në Durrës tek disa familje, ku kam mundur në disa familje, kam shkuar pa asnjë lloj pompoziteti se s’ka nevojë të themi më shumë se kaq, çfarë kemi mundur të bëjmë, asgjë në raport me të madhen. Por njerëzit pyesin ku janë konstruktorët, ku janë inxhinierët, ku janë psikologët në nivel të tretë. Këto lloj grupe pune duhet të jenë më shumë në terren. Konstruktorët shqiptarë nuk janë të gjithë dhe nuk kanë pse paragjykohen, sepse tani ka filluar psikoza fataliste. Objektet shqiptare ose ndërtimet shqiptare janë të gjitha të këqija, nuk bëjnë ndërtuesit, nuk bëjnë lejet. Por nuk është kështu, se kjo na ka shkatërruar deri tani, kjo e përgjithshmja e keqe. Ka konstruktorë, ka studio arkitekturore, ka njerëz prestigjiozë që dinë mirë se çfarë ndodh, po ashtu si ekspertët e huaj. Unë e di që ne shikojmë me mrekullim nëse na vijnë amerikanë, italianë, japonezë apo francezë, se padyshim kanë më tepër përvojë. Ku u pa që kishin më përvojë? Që nga veshja e atyre që erdhën nga Kosova dhe veshja që ne nuk kishim. Tani unë nuk dua ta bëj fare politike, dhe nuk është….

Ndërkohë, pas këtij momenti, teksa Duma dhe gazetari Endri Xhafo, gjithashtu i ftuar në studio, replikuan për pak çaste nëse çështja ishte ose jo politike, moderatorja Rudina Magjistari ndërhyri, duke i kërkuar prerazi të ftuarve që të mos debatonin. Ajo u kërkoi atyre që të ulnin tonet, në respekt të 51 viktimave që la pas tërmeti i 26 Nëntorit.

Endri Xhafo: Jo nuk e ngrita si çështje politike mundësinë e menaxhimit.

Rudina Magjistari: Ne kemi përgatitur materiale të tjera dhe dua që linja e programit të jetë ndryshe. Ta harrojmë këtë pjesë, sepse gjërat nuk kanë ndodhur ende dhe ju po debatoni për një gjë që pritet ende të ndodhë.

Grida Duma: Endri po flet për një gjë tjetër…

Rudina Magjistari: Ti hedh një hipotezë edhe hajde e diskutojmë mbi këtë hipotezë dhe nuk është fare momenti për ta bërë mendoj unë. Lërjani javës tjetër këto biseda, do keni kohë sa të doni. Mbani pak qetësi, flasim pak me ton të ulët sot mendoj unë, sepse sapo janë numëruar 51 viktima dhe është një numër shumë i madh, edhe një dhimbje shumë e madhe për të gjithë ne, apo jo./tvklan.al