Të ftuar:

Maya – Këngëtare

Ajo është një këngëtare shumë e njohur e muzikës popullore që ka bërë për vete publikun me zërin e saj. Por ndryshe nga ç’jemi mësuar ta shohim zakonisht teksa flet për muzikën, Maya Aliçkaj tregoi sot për herë të parë publikisht për shtatzëninë e saj.

Këngëtarja është duke përjetuar pritjen e ëmbël të fëmijës së saj të parë. Ajo është tashmë në muajin e 8-të të shtatzënisë dhe ka arritur ta mbajë sekret këtë për shumë kohë ndonëse ka qenë pjesë e skenave në aktivitete të ndryshme. E ftuar sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Maya zbuloi arsyet se përse ka mbajtur gjatë të fshehtë shtatzëninë.

“Gjatë gjithë verës është komentuar shtatzënia ime dhe shumë më kanë shkruar edhe mesazhe. Dikush madje më ka kritikuar për fustanet që kam veshur në “Maratonë” dhe kanë patur vërejtje për mënyrën se si isha veshur. Por unë me atë timen isha në rregull sepse nuk doja të bija në sy dhe nuk më duket shumë estetike sipas mendimit tim.

Dhe tjetra ishte se kam qenë shumë supersticioze unë për këtë punë sepse nuk ka qenë pa sakrificë për të arritur deri këtu dhe doja të mos bija shumë në sy sepse doja të isha e sigurt”, tha Maya.

Maya ka folur sot për herë të parë publikisht për shtatzëninë e saj. E ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan këngëtarja zbuloi live në emisionin edhe gjininë e fëmijës. Përmes një kutie të mbushur me tullumbace, Maya zbuloi se është në pritje të një djali.

“Unë nuk kam patur preferencë për gjininë. Jam shumë e kënaqur që është djalë, ashtu siç do isha e kënaqur nëse do të ishte vajzë. S’kam patur fare preferencë për gjininë, doja që Zoti të më bekonte me një fëmijë të shëndetshëm dhe kaq. Në muajin e katërt doktori im më thotë që mund të ishte vajzë dhe unë i tregova Benit dhe ai më tha: Është herët për ta kuptuar.

Aty kuptova unë që Beni donte djalë. Unë se kisha atë hall, doja vetëm të ishte i shëndetshëm. Kur shkoj në Vlorë më thotë mjeku që të bëjmë një eko dhe aty pamë që ishte djalë. Ai ishte momenti kur m’u kthye mendimi edhe një herë nga vajzë në djalë. I them Benit shiko se është djalë dhe ai ma kthen: E dija unë. Kujdes zemër ku ecën”, tregoi Maya.

Këngëtarja po ashtu rrëfeu se nuk ishte hera e parë që kishte mbetur shtatzënë, por pa sukses. Kjo gjë tregon ajo e ka bërë atë edhe më supersticioze dhe të sigurohej përpara se ta pranonte publikisht shtatzëninë.

“Kam qenë e interesuar për të lindur fëmijë. Kam marrë edhe herë të tjera lajmin se jam shtatzënë, por nuk ishte me sukses të vazhdonte. Për mua ishte bërë goxha problem për shkak edhe të koncerteve që rezervojmë një vit përpara. Mjeku edhe përpara se të mbesha shtatzënë më shkruante për vitaminat që duhej të merrja, por dikur unë u lodha.

I bëra përpjekjet e mia, por Zoti ndoshta e kishte shkruar ndryshe, por ai këmbëngulte. Dhe kështu ishte kjo herë. Unë u gëzova kur mora lajmin natyrisht, por me frikë nëse do vazhdojë apo s’do vazhdojë dhe shyqyr erdhi në këtë ditë. Këtë herë prisja të kalonin muajt që të isha e sigurt. U bëra supersticioze dhe me frikëra dhe nuk kam folur. Deri tani shtatzënia nuk më duket e bukur hiç. Unë jam fryrë, nuk ha dot se kam siklet, nuk fle dot rehat”, shtoi këngëtarja.

Këngëtarja Maya ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan ku rrëfeu për shtatzëninë e saj. Ajo ndau me të gjithë lajmin e bukur dhe zbuloi për herë të parë se është në pritje të një djali.

Në fund të emisionit këngëtarja u surprizua live teksa në studio hyri bashkëshorti i saj Arben Shuaipi i cili i dhuroi asaj një buqetë me lule.

“Kur e pashë Benin sot i thash: Po ti ç’ne je veshur me këto të bardhat në kohë me shi? I vesha kot më tha që të bëjmë edhe ndonjë foto”, tregoi këngëtarja, e cila nuk fshihte në asnjë moment lumturinë e pritjes së një fëmije.

Adriatike Lami -Poete

Një përmbledhje me poezi dhe poema kushtuar dashurisë për jetën, lirisë së fjalës dhe mendjes.

“Ti, Syri im i dëborës” është libri më i fundit i poetes Adriatike Lami e cila sjell në këtë botim ndjenjën më të bukur në vargje, dashurinë. Një himn për dashurinë veçuar nga pjesa tjetër e librave të saj, por që sjell vazhdimsinë dhe i bashkon tematikat, motivet dhe gjithçka që jep për veten dhe botën.

Sot poetja Adriatike Lami ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të folur rreth librit të saj të fundit.

“Unë e kam nisur herët të shkruarit dhe poezia ka qenë e para dhe vazhdoj ta shkruaj ende. Ky është libri im i 7-të. Unë jam konseguente me veten dhe në çdo gjë që shkruaj, ndoshta kjo edhe për mënyrën se si ka rrjdhur jeta ime. Por “Ti, Syri im i dëborës” ka patur nevojë për një pikë referimi të cilën unë e kam patur ose e kam ndërtuar vetë. “Ti, Syri im i dëborës” është një pikë alef, është pika nga ku t’i simbolikisht vështron botën në një mënyrë tjetër. Te “Syri im i dëborës” pika ime e alefit është dashuria. Dashuria është një simbolikë dhe një konkretizim sa i gjërë aq edhe individual, por ky libër më ka ndihmuar ta shoh ndryshe”, tha poetja.

Dr.Ledio Bregu – Onkolog