Të ftuar:

Mentor Hazizi – Këngëtar

Ai është një këngëtar i njohur i rrymës Pop dhe Rock, por edhe si tekstshkrues. Bëhet fjalë për Mentor Hazirin, i cili është vlerësuar shpesh me çmime të ndryshme. Sot këngëtari ishte i ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, nga ku zbuloi arsyen e ndarjes së grupit “Kthjellu”.

“Grupi Kthjellu” nuk ekziston më për shkak se nuk është industria muzikore e mirëfilltë dhe vështirësitë janë të mëdha. Punën unë e bëja vetëm dhe isha i vetmi person që punonte dhe suksesin donin ta ndanin të gjithë. Por sidoqoftë momente të bukura ka patur shumë, djemtë që punoj edhe sot me ta kanë qenë pjesë e grupit. Ka qenë e vështirë ndaj edhe dola vetë nga grupi, por doja edhe të eksperimentoja në Pop më shumë që t’i ikja Rock and Rollit”, tha Haziri.

Këngëtari po ashtu zbuloi detaje rreth koncertit recital që do të mbajë në Tiranë më 28 Tetor.

“Arsyeja se përse po e bëj këtë koncert recital është që të përmbledh të gjithë repertorin tim ndër vite. Më 28 Tetor do të bubullojë salla e Katedrales nga koncerti që kemi përgatitur. Koncertin e kam quajtur “Shtigje tingujsh”, sepse në Tiranë kemi ardhur për të gjetur shtegun muzikor. Recitalin e parë unë e kisha para dy vitesh në Ferizaj, në vendin ku jetoj dhe e pata quajtur “Rrugës”, sepse kemi rrugëtuar shumë për të ardhur në Tiranë, kemi patur vështirësi të mëdha sepse “Rruga e Kombit” nuk ka qenë.

“Shtigje tingujsh” do të bashkojë shtegun më të madh, do të zbresë nga malet dhe do të vijë në qytetin e Tiranës më 28 Tetor. Unë kam duete me shumë këngëtarë, por “Shtigje tingujsh” është recitali im dhe shumë prej bashkëpunëtorëve me shumë dëshirë nuk kanë pranuar të vijnë sepse nuk kanë dashur ta “lëndojnë” koncertin. Më kanë thënë duam të të shohim ty duke qenë se është recitali yt”, tha Haziri.

Lufta mes Kosovës dhe Serbisë ka shënjuar jetën e qytetarëve. Si pasojë e kësaj lufte u dëbuan mijëra njerëz dhe mijëra të tjerë u ekzekutuan. Momente të vështira rreth luftës tregon edhe këngëtari Mentor Haziri. I ftuar sot në studion e “Rudina”, në Tv Klan, ai tregoi momentet e vështira që ka kaluar ai dhe familja e tij. Këngëtari tha se ushtarët serbë kishin rrethuar 500 persona në një mal për t’i ekzekutuar dhe se në atë momente ai lutej ta vrisnin të parin.

“Në kohën e luftës kur filluan bombardimet ne ikëm në një fshat në Kosovë dhe 2 javë më vonë filluan të na sulmojnë forcat serbe. Në orën 08:00 të mëngjesit kemi dalë 500 veta në mal dhe aty na kanë kapur të gjithëve, na kanë mbajtur disa orë dhe na kanë plaçkitur. Më pas na vunë në rend për të na vrarë, ndanë burrat veç dhe gratë veç dhe prisnin urdhër për të na vrarë. Është histori shumë e dhimbshme. Në ato momente ajo çfarë mendon një njeri është që të vdesë i pari që të mos shohë se çfarë do të ndodhë. Lutesha të vdisja i pari. Por 500 veta nuk mundën të na vrasin, sepse do të ishte masakër e madhe, nuk morën urdhër për të na vrarë. Na nxorrën në autostradë dhe aty unë jam ndarë nga familja ime. Mua më kanë ngritur në tren dhe kam qëndruar për një muaj në Maqedoni dhe kam punuar për refugjatë të tjerë. Deri kur është çliruar Kosova nuk kam patur asnjë kontakt me familjen time dhe nuk kam ditur asgjë për ta”, tregoi këngëtari.

Enkelejda Ferrollari – Dietologe

Në dietën tonë ushqimore, perimet zenë një vend shumë të rëndësishëm. E kur vjen puna tek ato të stinës, gjithnjë duhet t’i kemi në tryezat tona.

Një prej perimeve të kësaj stine është edhe kungulli. Ai është i pasur me vitamina e minerale dhe përfshin një gamë të gjerë në gatime si sallatat, ëmbëlsirat, byrekut me kungull madje-madje mund të jetë një zëvendësues shumë i mirë dhe i gjalpit.

Për të folur lidhur me vlerat e kungullit ishte e ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, dietologia Enkelejda Ferrollari.

“Kungulli ka pak kalori, është një hidratues shumë i mirë dhe të gjithë ata që kanë probleme me hipertensionin kungulli i ndihmon të krijojnë ekuilibër. Ka magnez e kalium dhe ndikon në ruajtjen nga obeziteti. Njihet si kontribuesi kryesor i ngjyrës portokalli dhe që konvertohet në vitamin A në trup. Ai rritet pothuajse në të gjitha zonat e vendit. Është i pasur me beta-karoten dhe kjo mbron nga astma, sëmundjet e zemrës, uljen e zhvillimit të kancerit të zorrës së trashë dhe ngadalëson plakjen.

Kungulli është i këshillueshëm të konsumohet nga të gjithë, por sidomos për ata që vuajnë nga disa sëmundje si: fertiliteti, shëndeti i syve apo metabolizëm i ngadaltë. Edhe farat e kungullit janë të ushqyeshme dhe të këshillueshme” tha dietologia.

Jetmir Maliqi – Barist, piktor