Të ftuar:

Kozeta Kurti – Gazetare

“At Sergi” novela e njohur e Tolstoit, pas suksesit në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, është ngjitur në skenën më të re të kryeqytetit, atë të ArTurbina.

Kjo vepër ka qenë një ëndërr shumë vjeçare e gazetares Kozeta Kurti. Ajo ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të folur rreth kësaj vepre. Gjatë emisionit Kurti tha se kjo novelë e ka ndikuar atë personalisht dhe i ka ndryshuar konceptin për racionalitetin.

“Si shumë shqiptarë dhe jo vetëm, unë kam një ndikim nga letërsia ruse. Gjithmonë më ka pëlqyer ajo. Unë mund të kisha zgjedhur një vepër të Tolstoit apo të dikujt tjetër. Megjithatë në jetën tonë ne kemi gjithnjë një grup njerëzish që na ndikojnë në shijet e muzikës apo të letërsisë. Unë e kam marrë këtë vepër kur kam qenë studente në vitin e dytë, në rrethana shumë të bukura nga miqtë që rrethanat e jetës i detyruan edhe të ndryshojnë kontekstin e tyre të jetës. E kam konsideruar si një kthim borxhi moral, pra jam e ndikuar edhe personalisht për këtë vepër. Kjo vepër, edhe pse është shkruar në fund të viteve 900, ekziston mundësisa që një njeri, pavarësisht rrobës që vesh, të jetë njeri mbi të gjitha. Vitin e kaluar kam udhëtuar drejt Prishtinës për të takuar regjisorin Fatos Berisha, për të filluar punën për këtë shfaqje, pasi kisha kaluar një herë nga kisha ortodokse. Sepse doja të isha e kujdesshme dhe asgjë të mos konsiderohej blasfemi, sepse në fund të fundit kur flasim për njeriun, flasim për të dhe gjithë qenien e tij. Më pyesin për +18 përse është vendosur atje dhe të gjithë mendojnë se është vendosur për shkak të dy skenave të seksit teatral. Në fakt jo, nuk është e vetmja. Është gjuha e fortë që një fëmije 14 vjeç s’do ia kisha sugjeruar për shkak të dramaticitetit që ka vepra. Në vitin 2000 unë kam lexuar për herë të parë veprën, ka qenë një novelë e vogël. Ka qenë një debat mes dy të rinjsh, një prej të cilëve isha unë dhe më hodhën këtë libër duke më thënë: Lexoje këtë se ndoshta një ditë do ta kuptosh se sa e rëndësishme është që njeriu të mos jetë racional. Kur e lexova mendova që një ditë do ta sillja në Teatër, e kam parë shfaqjen me imazhe. Kjo vepër më ka ndryshuar konceptin tim për racionalitetin”, tha Kurti.

Kjo novelë do të shfaqet për publikun në skenën e ArTurbina nga datat 15-18 Nëntor ora 20:00.

Eklent Kaçi – Kampioni i botes ne sportin e bilardos.

Ai nuk i ka mbushur akoma 20 vjeç, por ka një talent dhe pasion të jashtëzakonshëm në lojën e bilardos. Këtë pasion e ka nisur që në moshën 8-vjeçare, për të mos u ndalur dhe për të rrëmbyer trofe në të gjithë botën. Sot ai është kampioni në fuqi në të gjitha disiplinat e kësaj loje në nivel botëror, një fakt që duket gati i pabesueshëm.

Bëhet fjalë për Eklent Kaçin, i cili është kampioni në fuqi i botës në bilardo. Ai ishte sot i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të folur mbi këtë pasion të madh të tij dhe kupat e trofetë që ka fituar fillimisht në Shqipëri e deri në Shtetet e Bashkuara.

“Ëndrrat e mia janë bërë realitet shumë shpejt. Por në moshën 8-vjeçare kur kam luajtur për herë të parë bilardo pashë njerëzit që më shikonin dhe thashë: Do ta filloj edhe unë këtë sport dhe do të bëhem më i miri. Fillova të luaj dhe pas disa muajsh lojë i munda të gjithë. Fitorja ime e parë ishte në lagje. Për të qenë një lojtar i mirë duhet të praktikohesh shumë dhe mendërisht duhet të stërvitesh. Kur praktikohesh shumë e ndjen që je gati për ndeshje dhe e kontrollon lojën. Fitorja e fundit ishte në SHBA ku fitova titullin kampion bote në disiplinën 14+1. Kampionati 14+1 ishte kampionati i dytë ku merrja pjesë, sepse nuk e kisha praktikuar shumë. Në kampionatet 8-ësh, 9-ësh dhe 10-ësh jam në të gjitha i pari dhe doja të provoja këtë. U shpalla kampion. Ishte pak e çuditshme, por me punë arrihet gjithçka. Është e vështirë të garosh në bilardo, sepse ka lojtarë nga e gjithë bota dhe lojtarë shumë të mirë, por unë u shpalla kampion”, tha Kaçi.

Jerina Kolitari – Specialise peshkimi

Ajo ka një lidhje shumë të fortë me detin, madje edhe profesionin e saj e ka lidhur me të. Jerina Kolitari specialiste Peshkimi dhe Aquaculture, si dhe pedagoge në Universitetin Bujqësor të Tiranës është ndër të parat gra që ka dalë në ekspedita detare me anije kërkimore. Ajo ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan për të treguar pasionin e saj për detin dhe eksplorimin e tij.

“Që në vitin 2001 unë jam specializuar për leximin e moshës së peshqve. Më parë mosha e peshqve llogaritej nga luspat, por ishte llogaritje jo e saktë. Në vitet 1995 filloi leximi përmes otolitëve që ndodhen në kokën e peshkut. Ato meren dhe shikohen në steriomikroskop dhe ruhen për vite me radhë dhe analizohen si kampionë për efekt statistikash. Për sardelen dhe açugen jetëgjatësia mund të shkojë deri në 8 vite, ndërsa blini është peshku më jetëgjatë dhe mund të jetojë deri në 100 vjet. Në Itali apo në vendet e Bashkimit Europian në periudhën e Gushtit bëhet një ndërprerje e konsumit të peshkut pasi është periudha e shtimit. Por kjo gjë në Shqipëri nuk bëhet”, tha Kolitari.