Të ftuar:

Mustafa Nano – Analist dhe drejtues i programit “Provokacija”, në Abc News

Prej 13 Shkurtit në ekranin e AbcNews, çdo të martë ka filluar një emision i ri, me ideator dhe drejtues gazetarin e njohur Mustafa Nano.

“Provokacija” duket se që në titull provokon, është një format “talk show” dhe synon të sjellë personazhe të ndryshme, për temat aktualitetit shqiptar.

Vetë gazetari Mustafa Nano ishte sot i ftuar në studion “Rudina” në Tv Klan, ku sqaroi emrin e programit.

“Edhe ky titull është si të gjitha programet e tjera që ne bëjmë. Ishte aksidental. Unë kisha menduar “O sa mirë me qen shqiptar”, por duke e biseduar me “bosët” e televizionit menduam se ishte shumë i gjatë dhe ndoshta kanë patur të drejtë dhe rashë dakord me ta. Një tjetër titull ishte edhe një huazim nga anglishtja, por tani jam në një pikë të karrierës ku mendoj se huazimet nga gjuhë të huaja nuk janë shumë të lezeçme. Unë jam kritik kur i shoh. Mendoj se në gjuhën tonë mund të bëjmë gjetje interesante”

, tha gazetari Nano.

“Provokacija” ishte rastësi. Ndërkohë që isha me Shkullakun dhe Artur Zonjën po diskutonim dhe gjatë bisedës u përdor fjala provokacija dhe Shkullaku më tha si me shkaka: pse nuk ia vendos emrin emisionit provokacija? Ai e tha krejt me shaka dhe unë aty thashë: E gjeta”,

 u shpreh Mustafa Nano.

Ermira Çausholli – Gazetare, Moderatore

Ajo spikati vite më parë me një format shumë interesant që zbulonte të fshehtat e lidhjeve të dashurisë së personazheve të njohur. “Histori dashurie” ishte program që do ta bënte Ermira Çausholli të njohur për publikun.

Çausholli ishte protagoniste në studion “Rudina” në Tv Klan nga ku rrëfeu historinë e saj të dashurisë.

Moderatorja tregoi se është njohur me bashkëshortin, Ardit kur ishin të dy studentë, por sot ata janë prindër të tre vajzave Geas, 20 vjeç, Lunës, 13 vjeç dhe Dian 5 vjeç.

“Ne jemi njohur kur kemi qenë studentë, Arditi ishte në vit të 5-të dhe unë në vitin e parë. Ai ishte në dhomë me shokët e mi të klasës. Arditi luante shumë mirë kitarë dhe ne u takuam me shkodranin që i binte kitarës. Përmes tingujve të kitarës filloi edhe interesi im për të. Ai ka mbaruar mjekësi si student i shkëlqyer por nuk ka punuar asnjë ditë si mjek. Ai ka punuar me gazetarë të huaj në 1997. Ne jemi martuar më 27 mars 1997, por dasmën kishim vendosur ta bënim tradicionale edhe pse bashkëjetonim bashkë në Tiranë. Në ditën tonë të dasmës filluan edhe trazirat të ashtuquajturës luftë në ’97 dhe lokali ku kishim planifikuar të bënim dasmën në Korçë u dogj dhe dasma nuk u bë. Unë vesha paliçetat dhe erdhëm në Tiranë dhe kemi bërë dasmën tek Hotel Dajti dhe nga 250 veta që ishin planifikuar në dasmë kan qenë vetëm 70 veta”, tregoi Çausholli.