Të ftuar:

Roza Anagnosti – Aktore

Ajo është ndër ikonat e kinematografisë shqiptare që me rolet e saj në filma dhe teatër ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm.

Bëhet fjalë për aktoren e mirënjohur, Roza Anagnosti, e cila me portretin e saj, me zërin dhe talentin ka fituar gjithmonë vëmendjen dhe dashurinë e publikut artdashës.

Ashtu sikurse edhe këtë fundjavë, ku publiku e ka parë në rolin e teze Rozës, në shfaqjen ‘Oskari dhe tezja Rozë’, në Teatrin Eksperimental, me një vepër teatrore me mesazhe universale. Artistja Roza Anagnosti ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan nga ku tregoi më tepër rreth rolit të saj dhe punës me të rinjtë.

“Më intrigoi autori i veprës, ishte shumë interesant. Vepra është përkthyer në shumë gjuhë të botës për mesazhet që jep, është një psikolog i shpirtit njerëzor, ka një gjuhë të bukur që futet brenda njerëzve dhe thotë që njeriu çdo ditë duhet ta shfrytëzojë dhe në çdo situatë duhet të gjejë jetën. Ai e vlerëson shumë jetën dhe besimin, jo vetëm në Zot. Ishte një sfidë me të rinj dhe kënaqësi e jashtëzakonshme që jo vetëm të punoja me ta, por të jepje edhe eksperiencën. Dua të falenderoj regjisorin Kiço Londo, i cili ka insistuar që unë të jem në skenë”, tha Anagnosti.

Aktorja ka luajtur në mbi 20 filma ku ndër më të suksesshmit mund të përmendim “Plagë të vjetra”, “Fije që priten”, “Mësonjtorja”, “Rruga e Lirisë”, “Ndërgjegja”, “Qyteti më i ri në botë” dhe shumë të tjerë. Ajo po ashtu ka dhjetra role në teatër ku ka skalitur figura artistike të pakrahasueshme.

Të gjithë e kemi të memorizuar në kujtesë ëmbëlsinë dhe interpretimet e mrekullueshme të Roza Anagnostit. Një prej emrave më të njohur në kinematografinë dhe teatrit shqiptar. Aktorja filloi karrierën në teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Ishte vetëm 20 vjeç kur hyri në kinematografi në rolin e mësueses në filmin “Detyrë e posaçme”, ku edhe pse e re spikati për interpretimin e saj të lirshëm dhe origjinal. Një vit më vonë ajo luajti në filmin “Toka jonë” ku u njoh me Dhimitër Anagnostin, partnerin që do ta shoqëronte gjithë jetën e saj. Ajo vijoi më pas me filmin “Komisari i dritës”, një vit i suksesshëm bashkëpunimesh me regjisorët Dhimitër Anagnosti dhe Viktor

Gjithçka që do të shënonte një ndryshim të madh në jetën personale të Rozës pasi fill pas këtij filmi Roza dhe Dhimitri u martuan dhe vendosën të jetonin në Tiranë. Një martesë e suksesshme mes dy artistëve, që u bekuan me ardhjen në jetë të dy vajzave të tyre.

Sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Roza Anagnosti rrëfeu historinë e dashurisë mes saj dhe regjisorit.

“Takimi i parë me Dhimitrin ka qenë në kinoprova, ku ai ishte në kamera, por syri i kameras e fiksoi mesa duket. Regjisor në filmin “Toka jonë” ka qenë Hysen Hakani, i cili krijonte situata shumë komike në xhirime. Aty shkëmbyem shikime. Ne kishim një autobus të sajuar, sepse nuk kishte atëherë. Unë isha ulur në rreshtin e dytë dhe ai më rrinte karshi. Dhimitri mbante gjithmonë syze të zeza dhe mua më dukej sikur shikimi i tij ishte drejt meje dhe ktheja kokën. Unë isha vetëm 19 vjeç në atë kohë. Ai më shikonte përmes kameras dhe më bënte me shenjë, kur nuk isha duke luajtur mirë. Pas këtij filmi ne u fejuam. Dhe tek filmi “Komisari i dritës” ne ishim të sapomartuar dhe Dhimitri ishte regjisor i filmit. Anagnosti për mua është një idhull, jo vetëm si bashkëshort, por edhe si koleg. Ai është një mbështetje e jashtëzakonshme dhe nuk gjej fjalë për të. Edhe tani ai më nxit të vazhdoj karrierën, ka vlera të jashtëzakonshme dhe është shumë modest. Unë kam patur në krah një mbështetje shumë të madhe”, rrëfeu Roza Anagnosti.

Jolanda Nikolla – Mjeke pneumologe prane Spitalit Amerikan

Me ardhjen e stinës së vjeshtës vijnë dhe virozat e shumta që kjo stinë mbart me vete. Bllokimi i hundëve, temperatura, kolla dhe komplikacionet e tjera që sjell kjo periudhë e vitit prekin të gjitha grupmoshat. Mjekja pneumologe Jolanda Nikolla ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, nga ku foli për masat që duhet të marrin pacientët të cilët mund të preken nga virozat e stinës.

“Masat që duhet të marrin personat për të mos u prekur nga virozat e stinës janë: Të shmangin vendet ku qëndrojnë turma njerëzish sepse virozat janë më të shpeshta. Nëse fillon një kollë e lehtë duhet të merret menjëherë paracetomol, të fillojnë lëngjet e tepërta. Nëse do të ishte e mundur të qëndrojë 2 ose 3 ditë në shtëpi. Këto viroza nuk trajtohen me antibiotikë, por nëse zgjasin shenjat dhe simptomat pacienti duhet të shkojnë tek mjeku”, tha Jolanda Nikolla.

Lidhur me siptomat e virozave të stinës doktoresha tha: “Zakonisht virozat shfaqen me kollë, që mund të jetë me sekrecione dhe pa sekrecione, lodhje, pafuqi, anoreksi apo djersë. Tek fëmijët zakonisht janë këto grindjet e tepërta. Megjithatë kjo varet nga personi sepse pacientët të cilët kanë sëmundje kronike shenjat mund të jenë ndryshe nga ato të zakonshmet”.