Të ftuar:

Rezarta Skifterin – Stiliste

Ajo është një stiliste e njohur shqiptare, e cila prej shumë vitesh është kthyer në stilisten e preferuar të personazheve të njohur të ekranit, të cilët i besojnë imazhin e tyre krijimeve të saj. Por si asnjëherë tjetër, përpara pak javësh, Rezarta Skifteri u bë pjesë e “Milano Fashion Week 2018” dhe jo si një ndër të ftuarat që shijojnë sfilatat, por për herë të parë si e vetmja stiliste shqiptare, e cila arriti të shfaqte në javën e modës në Milano sfilatën me koleksionin e saj, krahas dizenjatorëve më të famshëm italianë dhe para 400 të ftuarëve.

Ajo ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të rrëfyer për këtë përvojë të re, emocionet dhe prapaskenat e sfilatës së saj.

“Ka disa muaj që unë kam marrë ftesën për në “Milano Fashion Week”, por nuk e kam publikuar. Doja që të bëhej realitet sepse më dukej një ëndërr shumë e largët. Unë isha e vetmja shqiptare mes 14 stilistëve italianë. Kam qenë shumë herë në Itali, por ishte hera e parë që shkoja në Milano dhe isha shumë afër Versaces dhe Armanit me koleksionin tim. Koleksioni im ishte deri në 12 veshje, por kjo për mua ishte arritje e madhe. Kam ndjerë ngrohtësi edhe pse isha e vetmja shqiptare. Çdo gjë ishte e bukur atje. Ishte e vshtirë të futesha sepse kisha harruar kartën e stilistes dhe mu desh të merrja organizatoren për të kaluar sepse ishte e pamundur. Unë kisha veshur një fustan të zi të thjeshtë. Nuk mu desh shumë kohë për t’i ideuar si fustane sepse isha shumë e frymëzuar, por për t’i punuar na u desh shumë.

Gjatë sfilatës time në fund kam patur edhe një moment kur u pengova sepse isha me kokën poshtë se më vinte zor kur bëja sfilatën. Por ishte emocionuese dhe çdo gjë ishte shumë e bukur. Kam patur komplimente dhe lodhja shpresoj të jetë shpërblyer”, tha Skifteri.

Pashk Përvathi – Piktor

Kësaj rradhe ai ka vendosur të vijë me një ekspozitë të re të titulluar ‘Ndryshe’, në të cilën për herë të parë do ta shohim atë me punimet e tij nudo dhe portret.

Piktori ishte sot i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan nga ku tregoi më tepër për realizimin e pikturave të tij. Ai tha se rrugëtimi i pikturave nudo për të mbyllet këtu dhe se do t’i rikthehet sërish peisazheve.

Ekspozita me pikturat nudo dhe portrete e Pashk Përvathit do të çelet nesër në orën 18:30 në Muzeun Kombëtar dhe do të qëndrojë e hapur për 10 ditë.

“Janë vepra të dy viteve të fundit që zgjuan tek unë dëshirën për një ekspozitë të këtij lloji. Kisha dëshirë t’ia servirja publikut edhe këtë pjesë të profilit tim që unë nuk e kisha shfaqur. Për disa do të jetë surprizë sepse nuk më njohin për të tillë sepse unë nuk kam ekspozuar portrete. Janë 46 vepra dhe nuk ka asnjë peisazh.

Për të realizuar nudot nuk kam patur asnjë problem, unë kam 40 vite me gruan time dhe ajo e di se ku pulsoj unë, ku rreh shpirti im dhe në një marrëdhënie kaq të gjatë ajo është pjesë e krijimtarisë time. Kur ke konsensus në familje ke hedhur hapin e parë. Më pas vijmë tek modelet. Unë i kam paguar dhe në rastin tim i rëndësishëm është konsensusi familjar. Kjo është një gjë normale, nudoja nuk ka lindur sot, por 10 mijë vjet më parë në shpellat e zimbabëve janë gjetur gjurmët e figurës së zhveshur. Në artin romak dhe grek ka qenë figura nudo, në rilindjen italiane po ashtu. Piktorët me nudon kanë trajtuar shumë probleme. Kjo ka qenë një periudhë e ngarkuar për krijimtarinë time. Përvoja ime me nudot besoj do të mbyllet këtu dhe do t’i rikthehem peisazheve”, tregoi Pashk Përvathi.

Festina Mejzinin – Këngëtare