Këtë të mërkurë në studion e “Rudina” ishte këngëtarja Ester Hoxha. E vendosur tashmë prej vitesh në Amerikë, ajo tha se kënga për të është “një ëndërr e ndërprerë në mes”. Por të gjithë e mbajnë mend vogëlushen që nisi muzikën në moshën 5-vjeçare dhe në vitin 2002 këndoi këngën  “Univers” në  Festivalin Mbarëkombëtar të Fëmijëve në Shkodër, nga ku doli edhe fituese. 

Ajo më pas mori pjesë suksesshëm edhe në festivale për të rritur, por në vitin 2010 u largua drejt Italisë dhe më pas në vitin 2016 drejt SHBA-ve duke lënë muzikën në favor të shkollimit në Ekonomi Biznes dhe Marketing.

Së bashku me fotot nga karriera e saj, Ester Hoxha kishte ruajtur edhe një kujtim surprizues për prezantuesen Rudina Magjistari.

Rudina: Ndërkohë, pikërisht në këtë periudhë pak a shumë, pas këtij festivali (Festivali Mbarëkombëtar i Fëmijëve), Esteri ka bërë edhe një foto, me një personazh shumë të njohur shqiptar, që e keni parasysh në këtë moment (qesh). Kur ma solli foton nuk po e besoja. Ja ku jemi këtu me Esterin. Unë sigurisht nuk e mbaj mend Ester këtë foto, por sa mirë që e paske ruajtur. Nga skenografia kuptoj se duhet të jetë edicioni i parë i Maratonës së Këngës Popullore, skenografi modeste, ose ndoshta Porta e Fatit…

Ester Hoxha: Unë nuk e mbaj mend me saktësi se çfarë ka qenë, por mbaj mend që i thosha mamit…ti për mua ishe një kukull Barbie!

Rudina: Isha unë një kukull Barbie për ty atëherë? Po me ato flokë…

Ester Hoxha: Po, sepse ishe bionde. Dhe i thosha mamit, foto, foto, foto, dua foto.

Rudina: Sa bukur që e kemi ë…sa shumë vite.

Ester Hoxha: Dhe kur të kam parë edhe ty super të gjatë, të shikoja kështu…

Rudina: Është një foto shumë e bukur, ti je fare e vogël aty. Sa vjeçe je ti aty?

Ester Hoxha: Unë jam 7 vjeçe aty.

Rudina: Ke qenë e ftuar, ke performuar aty, si ka ndodhur?

Ester Hoxha: Jo nuk kam performuar, unë aty nuk e mbaj mend a e kisha nisur këngën a jo se kanë kaluar shumë vite, por kur po shfletoja ato albumet, e gjeta këtë foto dhe thashë duhet ta sjell.

Rudina: Ose do kesh qenë ndoshta duke parë spektaklin?

Ester Hoxha: Spektaklin, po, po.

Rudina: Po ja, këto janë shenja të vogla që kanë treguar gjithmonë dashurinë tënde për skenën dhe do të ishe bërë një artiste e madhe po të kishe vazhduar këtu, por gjithsesi mos e ki peng, se e ke provuar dhe e ke shijuar skenën dhe aty e ke. /tvklan.al