Të ftuar:

Venera Lumani – Këngëtare

Ajo është ndër këngëtaret që ka shkëlqyer që me daljet e para në skenë. Por pavarësisht famës, Venera Lumani është treguar gjithnjë diskrete përsa i përket jetës private. Prej vitesh ajo bashkëjeton me këngëtarin Lind Islami dhe në Qershor të këtij viti, ai i propozoi për fejesë.

E ftuar sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Venera rrëfeu se dita e propozimit për të ka qenë ndër më të lumturat, pasi atë ditë ajo kishte edhe ditëlindjen. Gjatë emisionit, këngëtarja rrëfeu se së shpejti çifti do të organizojnë një darkë fejese me familjet e tyre.

“Ishte ditë shumë e bukur, unë kisha edhe ditëlindjen atë ditë, mbusha 27 vjeç, por ishte edhe festa e Bajramit dhe u përmbush aq bukur saqë po ndihesha më e lumtura në botë. Unë dhe Lindi e kemi krijuar lidhjen tonë dhe duam ta mbajmë vetëm ne të dy. Edhe një video amatore që kemi bërë duam që ta kemi vetëm për vete. Ishte surprizë, por shumë intime. Thjesht pashë dashurinë e jetës që ishte ulur në gjunjë dhe unë ulem po ashtu në gjunjë, sepse nuk doja që ta shihja ashtu dhe ndodhi e gjithë gjëja.

Ne kemi kohë që bashkëjetojmë, nuk kemi bërë ende plane për martesë, por së shpejti do të bëjmë një darkë fejese me familjet. Do doja të ishin edhe gjyshërit në këtë darkë, ata kanë patur pak probleme me shëndetin dhe unë s’mund ta imagjinoj dot atë darkë pa gjyshërit, sepse ata më kanë rritur”, tha Venera.

Xhimi Beqiri – Parukier

Klodiana Ismaili – Parukiere

Klodiana Ismaili dhe Xhimi Beqiri janë një çift parukierësh që ndajnë pasionin dhe jetën bashkë. Ndryshe nga të tjerët, ata kanë një stil të veçantë në veshje e look. Po ashtu, ata punojnë gjatë gjithë kohës bashkë në profesionin e parukierit, në një sallon vetëm për meshkuj.

Si Xhimi, ashtu edhe Klodiana nuk e kanë problem që janë gjithë kohës bashkë, madje ata ndihen kështu më të lumtur dhe nuk mund të bëjnë dot pa njëri-tjetrin. Sot ata ishin të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, për të treguar historinë e tyre të dashurisë.

“Ne kemi rreth 9 vite bashkë. Ka qenë dashuri me shikim të parë. Qenka një dashuri që ekzistoka dhe unë ndihem me shumë fat. Arsyeja se përse unë u ktheva nga Greqia ka qenë Klodi dhe ndihem me shumë fat që e kam. Ne jemi bërë për njëri-tjetrin dhe ndihmojmë njëri-tjetrin. Martesa jonë është bekuar me dy fëmijë, Izela 6 vjeç dhe Jogan, 16 muajsh”, tha Xhimi.

Ndërkohë edhe Klodiana shton se edhe për të ka qenë dashuri me shikim të parë.

“Ne jemi të dy nga Skrapari, njiheshim. Por pas një periudhe Xhimi u largua në Greqi dhe kontaktet u ndërprenë. Jemi takuar në dasmën e nuses së vëllait të Xhimit, ku ai ishte krushk. U takuam dhe unë isha shumë kureshtare ta njihja Xhimin se ishim moshatarë. Aty sapo kemi shkëmbyer një shikim u rigjetëm. Ne jemi njohur e takuar në një moshë të pjekur dhe e dinim se çfarë kërkonim. Filluam të merrnin informacione për njëri-tjetrin për qëllime të tjera, jo më si shokë. Filloi një histori mes nesh. Unë kam qenë punonjëse policie dhe e lashë, sepse gjithmonë më ka pëlqyer parukeria. E dija që vëllai i Xhimit ishte parukier dhe shkova të mësoj atje dhe prej asaj pune njoha edhe Xhimin”, rrëfeu Klodiana.

Edisa Shahini – Blogere