Genc Ruli gjatë rrëfimit që ka bërë në emisionin “Opinion” ka folur edhe për kryeministrin Edi Rama. Ruli është shprehur se e ka njohur kreun e qeverisë që përpara viteve 90 dhe ka pasur një raport jo të afërt, por miqësor me të. Sipas ish-ministrit të qeverisë Berisha, Rama është një njeri marketinku, por jo realizues kur vjen puna tek zbatimi i reformave.

“Edi Rama është një tjetër pjellë. Në radhë të parë Edi Ramën duhet ta shpjegosh pasi ta kesh dëgjuar pasi të flasë për veten. Njeriu ka gjithmonë një përfytyrim për veten që është i ndryshëm nga përfytyrimi që kanë të tjerët për të. Problemi është sa distancë kanë këto. S’do doja të bëja një gabim në këtë perceptim, por e kam njohur që të ri, që para 90, kemi pasur një raport jo të afërt, por gjithmonë miqësor dhe me respekt për njëri-tjetrin deri në 2007 kur ai qe kryetar bashkie, unë ministër i qeverisë Berisha. Edi Rama si formulë më këmbëngulëse, si imponim më këmbëngulës është që unë jam ndryshe nga liderët politikë, jo vetëm i tranzicionit dhe jo më tej dhe unë jam ai që kam bërë më shumë se të tjerët në këto 30 vjet. Është e pamundur matematikisht t’i ketë bërë se nuk i ka bërë së pari dhe se ai ka vetëm një katalog të reformave të shpallura. Është një njeri i marketingut i përsosur. Ai do ishte presidenti i një shoqërie marketingu shumë të suksesshme. Por politika nuk është vetëm spektakël. Kur vjen puna tek realizimi po të marrësh reformat e Ramës janë të realizuar kryesisht keq dhe 12 reforma të parealizuara. Nga natyra ai nuk është karakter realizues. Ai është karakter që ka ide”, tha Ruli.

Sipas Rulit, Rama është shumatore e defekteve që kanë pasur të gjithë paraardhësit e tij në krye të qeverisë.  

“Për mua ai ka diçka që ua kalon të tjerëve. Ai ka pothuajse të gjitha defektet e veçanta që kanë pasur paraardhësit e tij. Është një shumatore e defekteve që e kanë pasur ata. Dhe në finale e bën një figurë më komplekse më defektuese që mund të ketë prodhuar lidershipi shqiptar”, tha Ruli./tvklan.al