Presidenca rumune synon hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë në Qershor të këtij viti. Këtë e ka shprehur qartë Ministri rumun i Punëve të Jashtme, Teodor Melescanu, gjatë prezantimit të prioriteteve të presidencës rumune në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian.

“Në vitin 2018 Këshilli i Bashkimit Europian aprovoi një paketë ambicioze për politikën e saj të zgjerimit dhe ne besojmë fort se Bashkimi Europian do të realizojë premtimet e tij. Ne mendojmë se me mbështetjen tonë të fortë, kombinuar me përgjegjësinë e vendeve në këtë proces, rezultate konkrete të prekshme që janë kusht për progresin në axhendën europiane, do të krijohet një kontekst favorizues për Këshillin që të marrë vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë dhe me Shqipëria në Qershor. Ne do të vazhdojmë të mbështesim gjithashtu avancimin në negociatat e anëtarësimit me Serbinë dhe Malin e Zi. Bosnjë dhe Hercegovia kërkon vëmendjen e Bashkimit Europian për të evituar një qasje jo të ekuilibruar të BE-së ndaj këtij rajoni”.

Shqipëria duhet të përmbushë kriteret e vendosura nga Brukseli. Holanda e Franca janë dy nga vendet skeptike për çeljen e negociatave të Shqipërisë. Një ndër kushtet është dhe Reforma Zgjedhore, e cila është ndalur për shkak se opozita ka braktisur Komisionin e Reformës Zgjedhore. Edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca i kërkoi politikës ta shfrytëzojë zgjatjen e mandatit të Komisionit Parlamentar për të përmbyllur këtë reformë.

“Ka një propozim konkret në tryezat e të gjitha palëve. Do donim shumë që ai të mbështetej nga të gjitha forcat”.

I pyetur për aksionin e opozitës që lajmëron një valë të re protestash, Soreca kërkon dialogu mes palëve brenda parlamentit.

“Të gjithë politikanët e kanë marrë mandatin nga zgjedhësit për t’i përfaqësuar në parlament dhe kjo duhet të ndodhë”.

Tv Klan