Ushtria ruse rrethon Lisihanskun, bastionin e fundit ukrainas

Rusët janë pranë marrjes nën kontroll të gjithë rajonit të Luhanskut në lindje të Ukrainës. Zyrtarët ukrainas thonë se ushtria ruse është pranë pushtimit edhe të qytezës së Lisihanskut, që ndodhet në jug të Severodonjeckut që ra plotësisht në duart e rusëve në fund të Qershorit.

Sipas Kievit, rusët kanë kryer bombardime të ashpra gjatë fundjavës, duke rrethuar bastionin e fundit në duart e ushtrisë ukrainase në Luhansk. Rrethimin e Lisihanskut e konfirmojnë edhe rusët, të cilët thonë se kanë bombarduar disa depo të ushtrisë ukrainase.

Marrja e rajonit të Luhanskut përmbush gjysmën e objektivit për kontrollin e plotë të zonës së Donbasit ku bën pjesë edhe Donjecku, luftimet për marrjen e të cilit janë ende në vazhdim.

Sakaq, forcat e Kievit po afrojnë në frontin lindor topat me rreze të gjatë veprimi të ardhura nga Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, me shpresën se do të zhbëjnë arritjet e deritanishme të trupave ruse.

Tv Klan