Kërkojnë një vaksinë që t’u lejohet udhëtimi në vendet e BE

Kroacia nuk preferohet vetëm në verë nga rusët por edhe në këtë periudhë të vitit. Mediat raportojnë se ka një rritje të vizitorëve nga Rusia që kërkojnë të vaksinohen ndaj Covid-19.

Numri i fluturimeve nga Rusia është rritur javët e fundit dhe nuk është e pazakontë të dëgjosh të flitet rusisht në qendrat e vaksinimit në kryeqytetin Zagreb. Të huajt, si vendasit, mund të marrin vaksina falas në Kroaci. Drejtuesi i qendrës më të madhe të vaksinimit në Zagreb  ka deklaruar se nga 4,908 shtetas të huaj që janë vaksinuar, shumica e tyre janë rusë. Ndërkohë që vetëm por Nëntorin janë rreth 1 mijë rusë që kanë marrë vaksinën.

Edhe agjencitë e udhëtimit po e shfrytëzojnë këtë mundësi për të bërë biznes. Agjencia e udhëtimit “Russian Express” organizon udhëtime vaksinimi në Kroaci për rusët që kërkojnë një vaksinë të miratuar në Bashkimin Europian. Dhe sipas tyre nga rezervime sporadike që ishin në Shtator, tani janë rreth 50 rezervime në ditë. Udhëtimi përfshin fluturimin, akomodimin, sigurimin mjekësor dhe një transferim në qendrën e vaksinimit. Sipas agjencive turistike interesi do të vijë në rritje, sepse në shumicën e vendeve të Bashkimit Europian vaksina ruse Sputnik nuk njihet.

Në Rusi, një kod që vërteton statusin e vaksinuar mund t’u jepet vetëm njerëzve që kanë marrë vaksinën Sputnik. Por shumica e personave që zgjedhin të vaksinohen kërkojnë vaksina që njihen në Europë.

“Nuk ka të bëjë me mosbesimin ndaj vaksinës ruse. Ndonjëherë ka nevojë për të udhëtuar në EUropë, kështu që ne kishim idenë të vaksinoheshim në Kroaci. Ne lejohemi të hyjmë në Kroaci me Sputnik. Por një dozë përforcuese me Pfizer, të jep mundësinë të udhëtosh në Evropë pa karantinë apo teste”.

Shumica e vizitorëve rusë zgjedhin një udhëtim në fundjavë, që veç vaksinimit bëjnë dhe një vizitë në bregdet.

Rusia aktualisht është duke përjetuar një valë të ashpër të Covid-19. Në 24 orët e fundit janë regjistruar mbi 38 mijë raste të reja me Covid dhe 1211 viktima. Ndërkohë 42% e popullsisë është vaksinuar me një dozë të vaksinës.

Klan News