Kremlini mohon predhat e hedhura mbi civilët

Dita e 86 e ka gjetur lindjen e Ukrainës nën goditjet e intensifikuara të ushtrisë ruse. Zyrtarët e Kievit thonë se artileria rusë vrau 13 civilë dhe plagosi dhjetëra të tjerë gjatë një sulmi të orëve të para të kësaj të Premteje në rajonin lindor të Luhanskut. Predhat goditën zonat e banuara nga civilët në qytezën e Severodoneskut, ku sulmi rus është përballur me dështime ditët e fundit. Megjithatë, Moska vazhdon të mohojë vrasjen e civilëve dhe thotë se po godet vetëm objektiva ushtarake.

Senatori rus Frants Klintseviç pranoi gjatë një emisioni në televizionin shtetëror rus se ushtria ukrainase është më e forta dhe më e mirëtrajnuara deri më tani dhe se ruset po përballen me vështirësi të mëdha në këtë vend.

Ushtria ruse publikoi pamjet e mbërritjes në territoret pro-ruse të luftëtarëve të fundit të dorëzuar të njësisë Azov në Mariupol, deri më tani mbi 1700 për tre ditë, ndërsa nuk dihet ende nëse operacioni i evakuimit nga vendstrehimet e Azovstalit ka përfunduar.

Tv Klan