UKRAINE-UNREST-POLITICSPushtimi i rajonit të Krimes nga turpat ruse mund të konsiderohet një fakt i kryer megjithëse jo zyrtarisht. Prej pasdites të premtes në këtë rajon kanë mbërritur rreth 6 mijë trupa ushtarake ruse. Të ndihmuar edhe nga helikopterë, ata patrullojnë disa zona të këtij rajoni, përfshirë edhe ndërtesat qeveritare në kryeqendrën Simferopol.

Gjatë natës, autoritetet në Krime njoftuan përmes një deklarate për shtyp se persona të armatosur nga Kievi kishin sulmuar Ministrinë e Brendshme. Ata ishin zbrapsur vetëm pas kundërshtimit me armë nga të ashtuquajturat skuadrat e vetëmbrojtjes së Krimesë. Nga të shtënat me armë flitet edhe për disa të plagosur.

Në një tjetër incident, një grup protestuesish filorusë, sulmuan përfaqësues të qeverisë së Kievit, i cili ndodhej në Simferopol për të biseduar me autoritetet rajonale për situatën e tensionuar.

Kryeministri i Krimesë Sergey Aksyonov i kërkoi ndihmë presidentit Rus Vladimir Putin për të riktheyer paqen dhe sigurinë në këtë rajon. Në të njejtën linjë janë edhe disa senatorë rusë, të cilët gjithashtu i drejtuan Putinit një kërkesë për të reaguar menjëherë ndaj kërkesës së kreut të rajonit autonom të Krimesë.

Kryeministri i përkohshëm i Ukrainës Arseni Jaceniuk akuzoi Moskën se po nxit tensionimin e situatës në Krime. Ndërsa presidenti amerikan Barak Obama paralajmëroi nga Shtëpia e Bardhë se çdo ndërhyrje ushtarake e Rusisë në Ukrainë do të kishte kosto të mëdha.

“Çdo dhunim i integritetit territorial të Ukrainës do të shkaktojë destabilitet, që nuk është në interes të këtij vendi dhe as të Rusisë e Europës”deklaroi presidentin Barack Obama.  

Mediat ndërkombëtare kanë publikuar së fundi edhe momentin kur persona të armatosur sulmuan dhe morën kontrollin e ndërtesës së parlamentit të Krimesë. Filmimet i përkasin datës 27 shkurt dhe u xhiruan nga kamerat e sigurisë.