Pas marrëveshjes të burgosurit e luftës rikthehen në shtëpi

Negocimi mes Rusisë dhe Ukrainës për lirimin e të burgosurve është bërë realitet. Marrëveshja bëri të mundur lirimin e 80 të burgosurve, mes të cilëve janë familjarët e pjesëtarëve të ushtrisë ukrainase, aktivistë dhe gazetarë. Megjithatë, ka shumë mundësi që ky numër të ndryshojë.

Kështu, Kievi pritet të dorëzojë disa persona të konsideruar si rebelë të dyshuar për vrasjen e protestuesve gjatë një kryengritje pro-perëndimore, të realizuar gjatë vitit 2014, veprim që nxiti jo pak zemërim tek qytetarët.

Vendimi u mor nga kreu i Rusisë Vladimir Putin dhe Volodimir Zelenski, President i Ukrainës. Shkëmbimi i të burgosurve mes Kievit dhe separatistëve pro-rusë vjen pas mbajtjes së Samitit në Paris, rreth 3 javë më parë. Falë këtij samiti Gjermania, Franca, Rusia dhe Ukraina ranë dakord për lirimin e të burgosurve, si dhe shkëmbimin e tyre.

Menjëherë pas dakordësimit ka nisur edhe aksioni. Siç shihet, personat e liruar janë transportuar me autobusë, si dhe kanë kaluar në një kontroll të mirëfilltë nga autoritetet ukrainase, afër zonës komunale Odradvika. Ky hap i marrë nga dy qeveritë pritet të shënojë një fillim të ri në marrëdhënien e tyre, pasi lirimi i të burgosurve nënkupton edhe lehtësimin e tensioneve mes dy shteteve fqinje.