Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka paralajmëruar se bota po shkon në një luftë më të gjerë

Rusia ka dërguar përforcime në Ukrainën lindore përpara një ofensive të re të mundshme, ndoshta duke synuar rajonin e Luhanskut.

Bombardimet janë intesifikuar rreth qytetit Bakhmut dhe qyteteve të afërta Soledar dhe Vuhledar. Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha se Rusia po vazhdonte të bënte përparime të vogla në përpjekjet e saj për të rrethuar qytetin Bakhmut të Donbasit.

Zona perëndimore e rajonit të Luhanskut ka të ngjarë të jetë fokusi i çdo ofensive të re ruse, tha Kyrylo Budanov, kreu i inteligjencës ushtarake ukrainase. 

Ukraina po planifikon vetë një ofensivë pranverore për të rimarrë territorin e humbur, por ajo është në pritje të dorëzimit të raketave perëndimore me rreze më të gjatë veprimi dhe tankeve dhe disa analistë thonë se vendi ishte disa muaj larg gatishmërisë.

“Me shumë gjasa do t’u duhen 10 ditë për të mbledhur rezerva. Pas 15 Shkurtit ne mund të presim këtë ofensivë në çdo kohë”, tha Serhiy Haidai, Guvernatori i Ukrainës i provincës Luhansk.

Lufta po arrin një pikë kyçe me afrimin e përvjetorit të saj të parë. Në fjalimin e tij, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se ndryshimet e personelit në kufi dhe në vijën e frontit do të forcojnë përpjekjet ushtarake të Ukrainës.

Nga ana tjetër inteligjenca britanike ka bërë të ditur se Moska do të vazhdojë të kërkojë përparime gjithëpërfshirëse, por nuk ka gjasa që të mund të ndërtojë forcat e nevojshme për të ndikuar ndjeshëm në rezultatin e luftës në javët e ardhshme.

Inteligjenca gjithashtu raporton se Rusisë tani i mungojnë municionet dhe njësitë manovruese të nevojshme për ofensiva të suksesshme. 

Ndërkaq Ukraina po përballet me temperatura deri në -20 gradë Celsius si dhe me një krizë humanitare pasi Rusia godet infrastrukturën kryesore civile. 

Zonat në Dnipro, Donetsk dhe Kharkiv janë veçanërisht të cenueshme. Disa zona strehojnë dhjetëra mijëra njerëz të zhvendosur gjatë dimrit, në të njëjtën kohë kur infrastruktura thelbësore përfshirë energjinë dhe strehimin po shënjestrohet nga raketat dhe artileria ruse.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se bota po shkon në një “luftë më të gjerë”. 

Duke iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së vetëm disa javë përpara përvjetorit të parë të pushtimit rus të Ukrainës më 24 Shkurt, Guterres u shpreh se perspektivat për paqen vazhdojnë të zvogëlohen dhe shanset për përshkallëzim të mëtejshëm dhe gjakderdhje vazhdojnë të rriten.

Klan News