Zbulimi amerikan mendon se ofensiva ushtarake do të fillojë në Shkurt

Dislokimet ushtarake të Rusisë pranë kufirit të Ukrainës janë zgjeruar tani edhe me materiale mjekësore dhe rezerva gjaku për të trajtuar të plagosurit në luftë, një tjetër element ky që tregon gatishmërinë ushtarake të Moskës.

Zyrtarët amerikanë thonë se rezervat e gjakut janë elementët kryesorë që tregojnë se Moska po përgatitet për pushtimin e Ukrainës, nëse Presidenti Vladimir Putin vendos kështu. Rezervat e gjakut dhe rreth 100 mijë trupa ushtarake në kufirin e Ukrainës e shtojnë më tepër ankthin e Perëndimit për lëvizjen e radhës së Rusisë.

Presidenti amerikan Joe Biden ka paralajmëruar se pushtimi i Ukrainës ka shumë gjasa të ndodhë, ndërsa Sekretari i Shtetit AntonyBlinken, mendon se sulmi do të ndodhë brenda një periudhe shumë të shkurtër.

Të premten, Presidenti rus Vladimir Putin tha se SHBA dhe NATO nuk kanë adresuar shqetësimet kryesore të sigurisë. Putin i tha homologut të tij francez Emmanuel Macron në një telefonatë më 28 Janar se pala ruse do të studiojë “me kujdes” përgjigjet me shkrim të paraqitura nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja këtë javë dhe “pas së cilës do të vendosë për hapat e mëtejshëm”.

Gjatë një telefonate të enjten, Presidenti Biden i tha homologut të Ukrainës, Volodymir Zelensky se në rast të një sulmi rus, SHBA dhe aleatët nuk do të dërgojë trupa ushtarake për të luftuar, por do të ketë përgjigje me sanksione ekonomike për të dëmtuar Rusinë.

Vetë Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje Perëndimit që të mos krijojë panik për pushtimin e vendit nga Rusia, pasi po rrezikohet stabiliteti ekonomik.

Ka sinjale edhe nga udhëheqës të respektuar të shteteve mike, që vetëm thonë se nesër do të ketë luftë. Ky është panik. Sa kushton për shtetin tonë”, tha ai në konferencën për shtyp në Kiev.

Klan News