Rusia dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësimin për sanksionet e reja që kanë propozuar Shtetet e Bashkuara kundër Moskës.

Sanksionet mund të prekin projektet e përbashkëta të energjisë.

Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin, tha se Rusia është duke punuar me partnerët evropianë në zbatimin e “një numri projektesh në shkallë të gjerë”.

“Ne dhe partnerët tanë evropianë i japim rëndësi të madhe përfundimit të këtyre projekteve dhe do të punojmë së bashku në këtë drejtim”, tha Peskov duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për ndikimin e mundshëm të sanksioneve në projektet si Rrjedha Nordike 2.

Rrjedha Nordike 2 është një tubacion që do të mbartë gazin rus përmes Detit Baltik në Evropë.

“Kjo është arsyeja përse sanksionet, që mund t’i pengojnë këto projekte, paraqesin shqetësim për ne”, tha Peskov.

Në Bruksel, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas tha se BE “i ka aktivizuar të gjitha kanalet diplomatike për t’i adresuar këto shqetësime me homologët amerikanë”.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione mbi Rusinë që prej vitit 2014, për shkak të përfshirjes së saj në luftën në lindje të Ukrainës dhe aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë.

Të dielën, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders tha se ky institucion do të vazhdojë të punojë me Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin e SHBA-së për t’i vënë sanksione më të ashpra Rusisë, derisa situata në Ukrainë të zgjidhet plotësisht./ Radio Evropa e Lirë