Prodhimi i vaksinës ka qenë në qendër të konferencës për shtyp të OBSH-së ditën e sotme. Kjo konferencë vjen në një kohë që dy shtetet të fuqishme, si Rusia dhe Kina pretendojnë se kanë zbuluar vaksinën për Covid-19. Kreu i kësaj organizate Tedros Ghebreyesus, ka kritikuar disa shtetet, pa përmendur  emrat konkrete, se nuk po bashkëpunojnë.

“Kjo është beteja më e madhe e njerëzimit. Dhe shumë shtete janë angazhuar për të gjetur një vaksinë. Po nuk ka bashkëpunim. Shumë të dhëna mungojnë. Kjo është një sfidë globale. E cila ka nevojë për një zgjidhje globale. Ndaj vetëm nëse punojmë sëbashku mund t’ia dalim. Nëpërmjet programit Covax ne do bëjmë të mundur që vaksinën të mund ta sigurojnë të gjitha shtetet. Rëndësi ka dhe vlera e saj”, tha ai.

Të hënën, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë në Pekin i dhanë licencën për nisjen e prodhimit, firmës farmaceutike kineze CanSino, e cila pretendon se ka gjetur vaksinën për Covid-19.

Vlera e saj do të jetë 150 dollarë për dy doza, ndërkohë që fushata e vaksinimit pritet të nisë në Dhjetor. Vaksina do të hyjë shumë shpejt në fazën e tretë të testimit tek njerëzit që përcakton edhe kohëzgjatjen e reagimit mbrojtjes që ajo nxit tek sistemi imunitar.

Provat klinike të fazës së tretë, krahas Kinës do të zhvillohen edhe në disa shtete të tjera si Brazil, Meksikë, Kili, Rusi e Arabi Saudite. Ekspertët e firmës CanSino thonë se për krijimin e vaksinës së tyre kanë përdorur gjene të dobësuara të viruseve që godasin trupin e njeriut gjatë ftohjeve të zakonshme.

E njëjta metodologji po përdoret për zhvillimin e vaksinave edhe në Britaninë e Madhe dhe Rusi, ku disa firma farmaceutike janë në faza të përparuara të testeve tek njerëzit.

Deri më tani Rusia pretendon ka licencuar një vaksinë kundër COVID-19ës që konsiderohet edhe si e para në botë, por që në perëndim janë skeptikë për efektshmërinë e saj, duke hedhur dyshime se nuk i ka kaluar të gjitha fazat e testimit.

Për efikasitetin e këtyre vaksinave sipas OBSH ende nuk ka një gjë përfundimtare.

“Janë duke u testuar rreth 200 vaksina. Deri më tani janë në faza më të përparuara te testet klinike 26-28 vaksina, pasi të dhënat përditësohen çdo ditë”, tha kreu i OBSH-së.

Injektimi i tyre përmes vaksinës synon të nxisë prodhimin e anti-trupave të mjaftueshme për të neutralizuar proteinat mbështjellëse të COVID-19ës.

Klan Plus