
Rusia dhe Ukraina ulen në bisedime
Dakordësohen për korridore humanitare
Nisi me një shtrëngim duarsh, por u mbyll me pak rezultate pozitive raundi i dytë i bisedimeve mes delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur që sot është në ditën e tij të tetë.
Në takimin që zgjati 2 orë e gjysmë kërkesat që u dakordësua ishin ajo e armëpushimit të përkohshëm për të lejuar evakuimin e civilëve dhe krijimi i korridoreve humanitare. Në këto korridoret humanitare do të dërgohen ndihma të sigurta si ushqime apo ilaçe.
Të parët që mbërritën në rajonin e Brestit në kufirin mes Polonisë dhe Bjellorusisë, ku u mbajt takimi ishte delegacioni rus, ndërsa më pas mbërriti edhe ekipi ukrainas. Kërkesat e Kievit ishin armëpushim dhe krijimin e një korridori humanitar.
Ndërsa Rusia bëri të qartë se kushtet janë ato që u diskutuan edhe në takimin e parë: njohja e Krimesë si territor rus, neutraliteti dhe de-nazifikimi i Ukrainës.
Pala ukrainase tha se nuk mori rezultatet që donte, pasi kishte hyrë në bisedime duke shpresuar për një armëpushim të plotë dhe tërheqje të trupave ruse. Por kërkesat që u dakordësuan këtë të enjte mbeten një shenjë pozitive e dialogut dhe diplomacisë.
Sipas Reuters zyrtarët kanë rënë dakord të mbajnë së shpejti një raund të tretë bisedimesh që do të jetë ne fillimin e javës së ardhshme.
Tv Klan