Kremlini: Nuk pranojmë tërheqjen e trupave

Joe Biden dhe Vladimir Putin japin shenja, ndonëse të zbehta se janë gati të bisedojnë kokë më kokë për krizën e Ukrainës.

Pasi shefi i Shtëpisë së Bardhe tha të Enjten gjatë takimit me homologun francez në Uashington se ishte gati të takohej me Putinin, nëse ai kërkon me të vërtetë t’i japë fund luftës. Kremlini iu përgjigj pozitivisht kësaj ftese, por zëdhënësi Dimitri Peskov tha se Moska nuk ishte e gatshme të pranonte kushtet e Shteteve të Bashkuara.

“SHBA nuk i njeh territoret e reja ruse dhe kjo e vështirëson së tepërmi përpjekjen për gjetjen e një baze të përbashkët për bisedime”.

Ukraina dhe perëndimi nuk i njohin territoret e aneksuara nga Rusia në Ukrainë. Pas nisjes së asaj që Moska e quan operacion special, Rusia shpalli më 30 shtator bashkimin e rajoneve ukrainase të Luhanskut, Donjeckut, Zaporizhias e Hersonit si pjesë të federatës, ndërsa në 2014 aneksoi Krimenë. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski nuk pranon bisedime me Putinin pa u tërhequr më parë ushtria ruse nga të gjitha territoret e Ukrainës.

Tv Klan