Rusia ka përsëritur deklaratën se ka përfunduar eliminimin e arsenalit kimik vitin e kaluar, në përgjigje të kërkesave amerikane që Moska të lejojë inspektorë të armëve kimike në këtë shtet, pas helmimit të ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Yulia.

“Rusia ka eliminuar arsenalin kimik, nën kontrollin ndërkombëtar dhe duke iu përmbajtur Konventës për Armë Kimike”,

tha  përmes një deklarate ministria e Jashtme ruse më 13 Gusht.

Ministria ka pretenduar se Shtetet e Bashkuara dhe jo Rusia janë vendi i vetëm që është pjesë e Konventës dhe kanë rezerva të mëdha me substancë toksike të kategorisë ushtarake.

Për këtë arsye, në deklaratë është thënë se presioni i SHBA-së ndaj Rusisë për të lejuar inspektorë “tingëllon hipokrit”.

Më 2017, Rusia ka deklaruar se ka kompletuar shkatërrimin e rreth 40,000 tonelatave të armëve kimike, të cilat i ka deklaruar vëzhguesi ndërkombëtar për armët kimike.

Mirëpo javën e kaluar Shtetet e Bashkuara thanë se do të shtojnë sanksionet kundër Rusisë, nëse brenda 90 ditësh nuk lejon Organizatën për Ndalimin e Armëve që të konfirmojë se nuk posedon më armë kimike.

Shtetet e Bashkuara dhe një varg i vendeve Perëndimore akuzojnë Rusinë për helmim të Skripalëve me agjent nervor, Noviçok, i cili është zhvilluar nga ushtria sovjetike gjatë Luftës së Ftohtë.

Moska në anën tjetër mohon çdo keqbërje./REL