“Palët të gjejnë zgjidhje kompromisi”

Nga Moska erdhi reagimi i parë pas fitores në Kosovë të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme të 14 Shkurtit.

Ministria e Jashtme e Rusisë sulmoi fituesin e zgjedhjeve, Albin Kurtin, sidomos deklaratat e tij nacionaliste për organizimin e një referendumi për t’u bashkuar me Shqipërinë dhe për mos pasjen e dialogut me Beogradin në listën e përparësive.

E shqetësuar për mos reagimin e Perëndimit, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, u bëri thirrje të gjitha palëve që të veprojnë në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

“Është shqetësuese retorika e shqiptarëve të Kosovës pas zgjedhjeve parlamentare ku fituan nacionalistët e Lëvizjes Vetëvendosje. Kryetari i kësaj partie ka deklaruar hapur se procesi i negociatave me Beogradin nuk është një prioritet kryesor dhe se ai synon të bashkojë Kosovën me Shqipërinë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të veprojnë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe të arrijnë një zgjidhje kompromisi,” tha Zakharova.

Deklaratat e Kurtit sollën reagimin e menjëhershëm të diplomatëve amerikanë dhe europianë, por si Uashingtoni, ashtu dhe Brukseli po presin formimin e qeverisë së re.

Më shumë për vazhdimin e dialogut do të mësohet javën e ardhshme, kur në Prishtinë do të zbresë i dërguari i posaçëm i BE-së Mirosllav Lajçak. Zyrtarisht edhe Lajçak pret formimin e qeverisë së re për të vazhduar dialogun mes palëve.

Tv Klan