Bisedimet e nxitura nga Donald Trump për paqen në Ukrainë korrin suksesin e parë të rëndësishëm.

Në një deklaratë për shtyp, Shtëpia e Bardhë njoftoi arritjen e marrëveshjes për ndalimin e të gjitha sulmeve ushtarake në Detin e Zi. Armëpushimi ka për qëllim garantimin e lëvizjes së lirë për të gjitha anijet tregtare që lëvizin nga kjo zonë, kryesisht të atyre që eksportojnë grurin ukrainas, të cilat ishin në shenjestër të sulmeve pas dështimit të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Turqia në vitin 2023.

Marrëveshjen e konfirmoi edhe Kremlini përmes një komunikate për shtyp më vete, ku tha se armëpushimi do të hyjë në fuqi atëherë kur perëndimi të heqë të gjitha sanksionet ndaj bankave, shoqërive tregtare, firmave prodhuese apo kompanive të siguracioneve nga Rusia të lidhura me eksportin e ushqimeve, siç është premtuar nga pala amerikane.

Armëpushimin e përshëndeti edhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski. Sipas tij, asnjë anije luftarake ruse nuk duhet të lëvizë përtej pjesës lindore të Detit të Zi, në të kundërt marrëveshja prishet dhe Kievi do të nisë sërish luftën vetëmbrojtëse dhe do të kërkojë furnizim me armatime.

Analistët thonë se përparim i dukshëm është bërë, por kjo nuk është ajo çka priste Uashingtoni. Ndërkaq bisedimet do të vijojnë mes palëve në Riad për zgjerimin e armëpushimit në të tjera drejtime.

Tv Klan