Rusia fiton terren në lindje të Ukrainës




Rusia fiton terren në lindje të Ukrainës

22:00 28/05/2022

Një tjetër përparim për forcat ruse në lindje të Ukrainës që i afrohen tani qytetit Sievierodonetsk. Të shtunën forcat pushtuese kapën qendrën hekurudhore Lyman. Përparimet ruse tregojnë ndryshimin e vrullit të luftës, tashmë që ajo ka hyrë muajin e saj të katërt. Ministria ruse e mbrojtjes tha të shtunën se trupat e saj dhe forcat separatiste kishin kontrollin e plotë të Lymanit, megjithatë, Hanna Malyar, zëvendësministrja e mbrojtjes e Ukrainës, tha se beteja vazhdon.

Sievierodonetsk, rreth 60 km nga Lymani në anën lindore të lumit dhe qyteti më i madh i Donbasit që ende mbahet nga Ukraina, tani ishte nën sulme të rënda nga rusët. Artileria ruse po bombardon gjithashtu rrugën Lysychansk-Bakhmut, të cilën Rusia duhet ta marrë për të rrethuar forcat ukrainase. Rreth 90% e ndërtesave në Sievierodonetsk janë dëmtuar.

Analistët në Institutin për Studimin e Luftës me seli në Uashington thanë se ndërsa forcat ruse kishin filluar sulmet e drejtpërdrejta në zonat e banuara të Sievierodonetsk. “Forcat ruse kanë performuar dobët gjatë operacioneve në terrene urbane gjatë gjithë luftës,” nënvizuan ata.

Përfitimet lindore të Rusisë pasojnë tërheqjen e forcave të saj nga Kievi dhe kundërofensivën ukrainase që çliroi qytetin e dytë më të madhe të vendit, Kharkivit. Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha gjithashtu të shtunën se sulme të shumta ruse kishin goditur komunitetet dhe infrastrukturën pranë Kharkiv.

Një pikë kthese në betejën e Dobasit do të sjellë përdorimi i artilerisë së rëndë perëndimore. Të shtunën Ukraina konfirmoi mbërritjen e raketave kundër anijeve Harpoon nga Danimarka dhe raketahedhës vetëlëvizës nga Shtetet e Bashkuara.  

Këto armatime janë të rëndësishme për të hequr bllokadën ruse të Detit të Zi që pengon Ukrainën të eksportojë drithin. Ukraina është një eksportues i madh i grurit dhe bllokimi i eksporteve të saj kërcënon të rifillojë të shkaktojë krizë ushqimore në shumë vende, duke përfshirë Afrikën.

Këtë javë që vjen Ukraina do të marrë edhe disa sisteme të përparuara raketash me rreze të gjatë veprimi, një prej tyre sistemi i lëshimit të shumëfishtë të raketave i prodhuar nga ShBA, një nga armët më të fuqishme dhe më të manovrueshme sesa sistemet e tjera të artilerisë që Uashingtoni dhe Perëndimi i kanë ofruar deri më sot ushtrisë ukrainase.

Vendimi i fundit i Uashingtonit për të dërguar këto lloj raketash në Ukrainës e nxiti presidentin rus Vladimir Putin të paralajmërojë udhëheqësit e Francës dhe të Gjermanisë gjatë një telefonate të shtunën se armatimet e rënda në duart e Kievit do ta përshkallëzojnë konfliktin.

Mësohet nga burime diplomatike se dy udhëheqësit europianë i kërkuan Putinit të lirojë mbrojtësit e Mariupolit të cilët u dorëzuan më herët këtë muaj.  Putni nga ana tjetër “shprehu gatishmërinë të ndihmojë për gjetjen e opsioneve për eksportin e papenguar të grurit, duke përfshirë eksportin e drithit ukrainas nga portet e Detit të Zi”, tha Kremlini. Putini gjithashtu u shpreh i gatshëm për të rifilluar dialogun me Kievin.

Klan News













Të ngjashme