WSJ thotë se Ukraina ka përvetësuar armët e rënda gjatë tërheqjes së trupave ruse

Me ironi gazeta amerikane “Wall Street Journal” thotë se është Rusia, dhe jo Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo vendet e tjera aleate, furnizuesja kryesore e Ukrainës me armë të rënda.

Kjo sipas konkluzioneve të disa analistëve të shërbimeve sekrete, të intervistuar nga e famshmja amerikane e cila thekson se Kievi ka marrë qindra tanke, obuse dhe automjete të blinduara që kanë rënë në duart e ushtrisë ukrainase, gjatë ofensivave kundër forcave te Moskës.

Sipas këtyre analistëve, përparimi i shpejtë i Ukrainës në rajonin e Kharkivit muajin e kaluar, i lejoi Kievit të përvetësonte një sasi të madhe armësh të rënda ruse.

Këtyre u shtohen edhe armët e marra gjatë tërheqjes së Rusisë nga kryeqyteti dhe pjesë të tjera në veri të Ukrainës, gjatë muajit Prill.

Në terma numerikë, sipas analistëve, Moska deri tani ka tejkaluar SHBA-në dhe aleatët e tjerë në furnizimin me armë, edhe nëse ato të dërguara nga Perëndimi janë më të avancuara dhe më të sakta se ato ruse”, komenton WSJ.

Ukraina deri më tani ka kapur të paktën 460 tanke ruse, 92 obusë, 448 automjete luftarake të këmbësorisë, 195 automjete të blinduara luftarake dhe 44 sisteme raketash.

Klan News