Rusia: Gati masat hakmarrëse për Perëndimin…

Rusia: Gati masat hakmarrëse për Perëndimin…

19:00 12/11/2020

Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov ka thënë sot se kritiku i Kremlinit Alexei Navalny, i cili u sëmur në një fluturim në Siberi më 20 Gusht dhe u dërgua me avion për mjekim në Berlin, mund të ishte helmuar në Gjermani ose në aeroplan për në Berlin.

Ndërsa, Organizata Globale për Ndalimin e Armëve Kimike ka bërë te ditur se në mostrat e gjakut të marra nga Navalny, 44-vjeçar, është konfirmuar prania e agjentit nervor Novichok. Gjurmë të së cilit ishin gjetur edhe në rastin britanik të vitit 2018, në helmimin e agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij.

Helmimi i Navalnyt, ka përkeqësuar marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit, duke bërë që të vendosen sanksione ndaj zyrtarëve të lartë rusë pranë Presidentit Vladimir Putin.

Ne kemi të gjitha bazat për të besuar se gjithçka, që i ka ndodhur atij (Navalny) nga pikëpamja e hyrjes së agjentit nervor në trupin e tij, mund të ketë ndodhur në Gjermani ose në aeroplanin kur po dërgohej në klinikën Charite,” është shprehur Lavrov në një konferencë në internet, pa specifikuar ndonjë provë.

Lavrov po ashtu ka thënë se Rusia së shpejti do të njoftojë masat hakmarrëse që do të ndërmarrë kundër zyrtarëve të lartë francezë dhe gjermanë, për sanksionet e vëna ndaj tyre lidhur me helmimin e Navalny./tvklan.al





Të ngjashme