Votuesit rusë miratuan ndryshime kushtetuese që do ta lejojnë Presidentin Vladimir Putin të mbajë potencialisht pushtetin deri në vitin 2036. Por referendumi njëjavor që përfundoi të mërkurën u njollos nga raportimet e përhapura të presionit ndaj votuesve dhe parregullsive të tjera.

Sipas zyrtarëve të zgjedhjeve, 77.6% e rusëve kanë votuar për ndryshimet kushtetuese, kur janë numëruar rreth tre të katërtat e të gjitha qendrave të votimit.

Për herë të parë në Rusi, qendrat e votimit u mbajtën të hapura për një javë për të rritur pjesëmarrjen e njerëzve që hodhën votën mes pandemisë së koronavirusit – një veprim që kritikët e Kremlin e denoncuan si një mjet shtesë për të manipuluar rezultatin.

Kjo do të thotë se Vladimir Putini mund të mbetet president edhe për 16 vjet të tjera.

Rusia u dha familjeve shpërblime financiare të mërkurën, dita e fundit e votimit për ndryshimet kushtetuese. Në shenjë proteste, kritikët e Kremlinit zhvilluan të mërkurën një demonstratë të vogël në Sheshin e Kuq.

Në prill, Kremlini u detyrua ta shtynte votimin për ndryshimet kushtetuese për shkak të pandemisë.

Rusia dhe ndryshimet kushtetutese

Propozimi për ndryshimin e kushtetutës në Rusi, synon t’i bëjë për vete të gjitha grupet. Fushata flet për ndalimin e martesave mes homoseksualëve për të tërhequr konservatorët, ndërsa premtimi për përmirësim në kujdesin shëndetësor dhe arsim është për familjet.

Madje ka diçka edhe për PresidentinVladimir Putin: Ndryshimet i hapin rrugën zgjatjes së pushtetit të udhëheqësit rus deri në vitin 2036, megjithëse disa thonë që ky element nuk është trumbetuar shumë.

Nuk është thënë asnjë fjalë. Mendoj se shumë pak është i njohur në publik fakti i zgjerimit të mandatit për Putinin, thotë politikani i opozitës, Vladimir Milov.

Presidenti Putin thotë se ndryshimet kushtetuese, do të sillnin qëndrueshmëri, duke shmangur luftën politike për pasuesin e tij të mundshëm dhe përqendruar në çështje më urgjente.

“Bëhet fjalë për ligjin themeltar, kushtetutën që është baza e parimeve në vendin tonë, jetën tonë dhe jetën e fëmijëve tanë. Do të përcaktojë garancitë tona kryesore ligjore dhe juridike”, është shprehur Presidenti Putin.

Por disa thonë se nxitimi i Kremlinit për të garantuar të ardhmen politike të zotit Putin në mes të pandemisë, reflekton keqësimin e perspektivës politike dhe ekonomike të shkaktuara nga virusi.

Ata e kuptojnë që mbështetja për të po bie…dhe kjo është një prirje afatgjatë. Në vjeshtë do të jetë më keq se në verë dhe në dimër më keq sesa në vjeshtë, thotë analisti politik, Dmitry Oreshkin.

Kremlini e ka zgjatur edhe për një javë votimin dhe ka marrë masa shtesë për të ruajtur shëndetin e votuesve.

Në qendrat e votimit, janë të detyruara dorezat, maskat dhe matja e temperatures…

“Është e vështirë të garantosh sigurinë këto kohë por me masat mbrojtëse, votimi po shkon në rregull. Dhe ne duhet të shprehim qendrimin tonë”, thotë Andrei, një banor i Moskës.

Por ekspertët e shëndetësisë shqetësohen për një rritje të numrit të infeksioneve pas votimit…duke paralajmëruar se rastet mund të mbingarkojnë spitalet e mbushura në maksimum.

Qeveria dhe zyrtarët tanë, nuk mendojnë për shëndetin e popullsisë por për ambicjet e tyre politike, thotë Anastasia Vasilyeva, Drejtore e Aleancës së Mjekëve.

Rusia ka afro 650 mijë raste me koronavirus, e treta në radhitjen globale, pas Shteteve të Bashkuara dhe Brazilit.

Por kjo nuk e ka ndalur presidentin që të vazhdojë me planet për 75 vjetorin e fitores sovjetike ndaj Gjermanisë naziste.

Një paradë ushtarake me mijëra ushtarë pa maska, duke marshuar në Sheshin e Kuq, u mbajt javën e kaluar.

Por ashtu si vota kushtetuese, është një rrezik që nuk ndahet dot nga koronavirusi dhe suksesi i saj mund të matet në fund të fundit jo me vota ose me tanke, por nga rastet e infeksioneve që mund t’i pasojnë ato. /VOA