Moska paralajmëron se do të kundërpërgjigjet, nëse Shtetet e Bashkuara miratojnë planin e ri ushtarak me shpenzime rekord. Deklaratën e bëri drejtuesi i Komisionit për Punët e Jashtme në dhomën e ulët të parlamentit rus Leonid Slutski.

Në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve Interfaks, Slutski tha se aktualisht bëhet fjalë thjeshtë për një retorikë. Por paralajmëroi reagimin e Moskës sapo Uashingtoni të miratojë planin për rritjen e shpenzimeve ushtarake.

Donald Tramp publikoi të hënën planin e administratës së tij për një rritje të jashtëzakonshme të shpenzimeve ushtarake në masën 10%, që e përkthyer në shifra do të thotë 54 miliardë dollarë deri në 2018-ën.

Mbi tryezën e tij në Shtëpinë e Bardhë, Trampit i erdhi të hënën edhe plani i Pentagonit për përshkallëzimin e luftës kundër Shtetit Islamik, ku përfshihen edhe betejat me forca tokësore në terren kundër xhihadistëve.

Kjo do të thotë se Shtetet e Bashkuara mund të dërgojnë në Siri, trupa ushtarake ku aktualisht janë të pranishme vetëm me një numër të kufizuar prej 500 forcash speciale. Në Irak parashikohet shtimi i pranisë ushtarake që aktualisht ndodhen vetëm 5 mijë trupa.

Vetëm pak ditë më parë Shtetet e Bashkuara shqetësuan Rusinë me planin e tyre për shtimin e arsenalit bërthamor. Këto zhvillime duket se e kanë shuar një herë e përgjithmonë dyshimin se Donald Tramp do të kishte një politikë më miqësore ndaj Moskës, në dallim nga administrata pararendëse e Barak Obamës. / tvklan.al