Rusia i ndalon furnizimin me gaz Finlandës




Rusia i ndalon furnizimin me gaz Finlandës

22:48 21/05/2022

Intensifikohet beteja për marrjen e Donbasit, Zelensky: Fundi i luftës do vijë vetëm përmes diplomacisë

Rusia ka nisur hakmarrjen ndaj Finlandës pas paraqitjes së aplikimit të saj për t’u anëtarësuar në NATO. Moska i ndërpreu furnizimin me gaz këtë të shtunë, duke vijuar përshkallëzimin e sanksioneve ndaj Perëndimit.

Kompania shtetërore ruse e gazit, Gazprom, tha se kishte ndalur eksportet e gazit në Finlandë pasi ajo refuzoi të pajtohej me kërkesat ruse për të paguar gazin rus në Rubla për shkak të sanksioneve perëndimore të vendosura për pushtimin e Ukrainës.

Nga ana e saj qeveria finlandeze dhe kompanitë e gazit atje thanë se ishin të përgatitur për një mbyllje të furnizimeve ruse dhe se vendi do ta përballojë atë.

Nga ana tjetër Rusia intensifikoi ofensivën në rajonin Donbas në Ukrainën lindore.

Kjo konsiderohet të jetë ofensiva më e madhe e kryer në Luhansk, që është një nga dy provincat e Donbasit, pas përfundimit të javëve të rezistencës nga luftëtarët e fundit ukrainas në qytetin strategjik juglindor të Mariupolit.

Përfundimi i luftimeve në Mariupol, qyteti më i madh që Rusia ka kapur deri më tani, mund të jetë vendimtar për ambiciet e Presidentit rus Vladimir Putin, i cili mund ta konsiderojë këtë një fitore të rrallë pas një sërë dështimesh në gati 3 muaj luftime.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy i tha televizionit lokal se ndërsa luftimet do të ishin të përgjakshme dhe fitorja e vështirë, fundi do të vinte vetëm përmes diplomacisë.

“Për ta, të gjitha këto fitore, okupimi i Krimesë apo Donbasit, është shumë i përkohshëm. Dhe e gjithë kjo do të kthehet pasi ky është territori ynë”, tha ai të shtunën.

Kontrolli i plotë i Mariupolit mund t’i japë Rusisë komandën e një rruge tokësore që lidh Krimenë, të cilin Moska e kapi në vitin 2014, me Rusinë kontinentale dhe zonat e Ukrainës lindore që mbahen nga separatistët pro-rusë.

Kievi mori një tjetër mbështetje të madhe të shtunën kur Presidenti i SHBA Joe Biden nënshkroi një projektligj për të ofruar gati 40 miliardë Dollarë ndihmë ushtarake, ekonomike dhe humanitare për vendin.

Ushtria ruse tha se kishte shkatërruar një ngarkesë të madhe të armëve perëndimore në rajonin Zhytomyr të Ukrainës, në perëndim të Kievit, duke përdorur raketa lundrimi Kalibr të lëshuara nga deti.

Kryeministri portugez Antonio Costa u bë lideri i fundit perëndimor që vizitoi Kievin dhe Kryeministri i Ukrainës Denys Shmyhal tha se ai kishte nënshkruar një marrëveshje për mbështetje financiare të papërcaktuar.

Klan News













Të ngjashme